Afganistani ka hedhur poshtë ultimatumin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump që Baza Ajrore e Bagramit të kthehet nën kontrollin amerikan, duke këmbëngulur se kërkesa të tilla shkelin marrëveshjen e vitit 2020 midis talebanëve dhe SHBA-së për tërheqjen e trupave.
Të dielën, Trump paralajmëroi se nëse Afganistani nuk e kthen objektin: “Gjëra të keqija do ndodhin.“
Udhëheqësi i SHBA-së më parë kishte shprehur keqardhje për humbjen e bazës nga Uashingtoni, duke vënë në dukje afërsinë e saj me Kinën.
Më vonë atë ditë, Hamdullah Fitrat, zëvendëszëdhënës i qeverisë afgane të drejtuar nga talebanët, vuri në dukje se Kabuli ia ka bërë të qartë SHBA-së në të gjitha negociatat se “pavarësia dhe integriteti territorial i vendit janë me rëndësi të madhe”.
“Duhet të kujtojmë se, sipas Marrëveshjes së Dohas, Shtetet e Bashkuara u zotuan se “nuk do përdorin ose kërcënojnë forcën kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të Afganistanit, as nuk do ndërhyjnë në punët e tij të brendshme”, tha ai, duke i kërkuar SHBA-së të respektojë premtimin e saj, shkruan Rt.
“Në vend që të përsëriten qasjet e dështuara të së kaluarës, duhet të miratohet një politikë realizmi dhe racionaliteti”, theksoi Fitrat.
Baza Ajrore e Bagramit, e vendosur në Provincën Parëan rreth 60 km në veri të Kabulit, ishte qendra kryesore ushtarake amerikane në Afganistan për dy dekada. Ajo shërbeu si pikë nisjeje për operacione kundër terrorizmit, duke përfshirë edhe kundër al-Kaedës dhe Shtetit Islamik. Ajo gjithashtu strehonte objekte paraburgimi, të cilat dyshohet se ndonjëherë përdoreshin për tortura.
Sipas Marrëveshjes së Dohas të vitit 2020, SHBA-të në thelb përfunduan paqen me talebanët dhe u zotuan të tërhiqnin dalëngadalë trupat e tyre nga Afganistani dhe të ndalonin kërcënimin e pavarësisë politike të vendit. Në këmbim, militantët lëshuan garanci për të mos lejuar që toka afgane të përdoret nga grupet terroriste.
Megjithatë, ndërsa SHBA-të po zbatonin një tërheqje graduale të trupave, qeveria afgane dhe forcat e sigurisë u shpërbënë nën presionin e talebanëve, duke bërë që trupat e mbetura amerikane të nxitonin për një largim të rrëmujshëm. Zyrtarët talebanë që atëherë kanë pohuar se janë të hapur për bashkëpunim me SHBA-në, por “pa Shtetet e Bashkuara që të mbajnë ndonjë prani ushtarake në asnjë pjesë të Afganistanit”.
