Vendosni fjalën kyçe....

Klevis Balliu kritikon seancën e shkurtuar parlamentare: Shkelje flagrante e Kushtetutës



Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar me tone të forta ndaj zhvillimeve në seancën parlamentare që u zhvillua sot dhe zgjati vetëm 25 minuta, ndonëse ishte parashikuar si një seancë maratonë për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave.

I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Balliu u shpreh se ajo që ndodhi në Kuvend nuk mund të konsiderohet më si një proces demokratik, duke akuzuar se ka pasur një shkelje flagrante të Kushtetutës, pa asnjë përgjegjësi institucionale.

“Kemi kohë që drejtohemi nga dikush që nuk mund ta quash më qeveri. Po nënvlerësojmë ngjarje të mëdha. Shkallmimi i Kushtetutës nuk kalon lehtë. Në çdo vend tjetër të botës do të kishte reagime të jashtëzakonshme,” tha Balliu.

Ai kritikoi ashpër përdorimin e ministres “robot” Diella nga Kryeministri, e cila u përdor për të komunikuar me Kuvendin dhe opinionin publik, duke e cilësuar këtë akt si absurd dhe tallës.

“Fakti që opozitës nuk iu lejua fjala, ndërsa në vend të Kryeministrit flet një robot që thotë ‘u ndjeva e lënduar’, është çmenduri. Që kur kanë ndjenja robotët? Ne nuk jemi pupacë,” u shpreh Balliu.

Deputeti demokrat nuk la pa kritika edhe deputetët e Partisë Socialiste, të cilët sipas tij “ulën kokën” dhe “pranuan në heshtje” këtë situatë.

“Ishte turp për ata deputetë që ulën kokën kur foli roboti. Kjo është bërë me qëllim: të shmanget çdo debat parlamentar dhe të mbyllet çdo zë kritik,” shtoi ai.

Balliu ngriti shqetësime edhe për mungesën e përmbajtjes reale në programin e ri qeverisës, duke theksuar se ky nuk ofron asgjë konkrete për jetën e qytetarëve.

“Në atë program nuk ka asgjë për qytetarët. Rama kërkon errësirë totale në Kuvend. Ky është i vetmi parlament që zyrtarisht kërkon kufizimin e mediave. Ne si opozitë kemi vetëm fjalën në dorë,” deklaroi Balliu.

Në përfundim, ai u shpreh me ironi: “Qytetarët pyesin çfarë do bëhet me jetët e tyre. Tani po na dalin edhe me gjini të reja… Allahu na ruajtë,” duke i bërë thirrje publikut që të mos e pranojë këtë gjendje si normale.