
Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi shpalljen e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se PD ka potencial për të triumfuar në kryeqytet.
Gjekmarkaj u shpreh se kandidatura e shpallur nga Partia Socialiste, Ogerta Manastirliu, është një figurë e konsumuar dhe në kushte normale demokratët do ta kishin të lehtë për ta mposhtur.
“Bashkia Tiranë është në duart e kryeministrit. PD nuk ka marrë ende një vendim se çfarë do të bëjë me zgjedhjet që u shpallën në Tiranë. Vendimi i takon kryetarit demokrat dhe strukturave të partisë. PD ka gjitha potencialet për të fituar Bashkinë e Tiranës. Nuk e di nëse z. Alimehmeti dëshiron që të jetë pjesë e garës, nëse PD merr vendimin për të qenë në zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës, por figurat demokrate nuk mungojnë”, u shpreh ai.
Duke folur për rivalen socialiste, Gjekmarkaj tha: “Ogerta Manastirliu ka një histori të gjatë konsumimi në pushtet dhe histori të gjatë akuzash dhe në kushte normale, PD nuk do e kishte të vështirë për ta mundur. Nuk jemi në kushte normale, pasi vullneti tjetërsohet.”