
Kryeministri Benjamin Netanyahu miratoi projektin e kontestuar prej kohësh të vendbanimit E1 pranë Jeruzalemit, një veprim që është përballur me vite të tëra kundërshtimesh ndërkombëtare dhe dikur është përshkruar nga kritikët si një “goditje vdekjeprurëse” për një shtet të ardhshëm palestinez.
Në një ceremoni në Maale Adumim, Netanyahu përsëriti kundërshtimin e tij të shtetësisë palestineze. “Ne thamë se një shtet palestinez nuk do krijohet dhe në fakt, një shtet palestinez nuk do krijohet”, tha ai.
Plani E1 parashikon 3,401 njësi banimi në Maale Adumim, një vendbanim në lindje të Jerusalemit. Ndërtimi në zonë do shkëpuste vijimësinë territoriale midis qyteteve palestineze të Ramallahut dhe Betlehemit në Bregun Perëndimor, duke e bërë pothuajse të pamundur krijimin e një shteti të qëndrueshëm palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, shkruan Ynet.
Izraeli e ka shtyrë përpara projektin për dekada të tëra, por si Evropa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara e kanë bllokuar vijimësisht. Administrata e presidentit të atëhershëm Donald Trump u nda nga politika e kaluar, duke shmangur dënimin dhe duke sinjalizuar mbështetje, duke thënë se një “Breg Perëndimor i qëndrueshëm” përputhej me qëllimet e SHBA-së për paqen rajonale.

Netanyahu, i cili prej kohësh e ka bërë zgjerimin e vendbanimeve një politikë thelbësore, e ka cilësuar projektin si një arritje historike dhe demografike. Ai parashikoi se popullsia e Maale Adumim do dyfishohej në 70,000 brenda pesë viteve.
“Ky është një ndryshim i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Kryeministri e lidhi gjithashtu zgjerimin me fushatën më të gjerë ushtarake të Izraelit. Duke iu referuar luftës që filloi gati dy vjet më parë me sulmin e Hamasit më 7 tetor, ai tha se Izraeli mbeti i përkushtuar për të sjellë në shtëpi të gjithë pengjet, si të gjallë ashtu edhe të vdekur.
“Ne do t’i kthejmë të gjithë”, tha ai.
Ai u zotua të vijojë të luftojë Hamasin deri në disfatën e tij.
“Ajo që filloi në Gaza do përfundojë në Gaza”, deklaroi ai. Ai tha gjithashtu se Izraeli po synonte anëtarë të tjerë të aleancës rajonale të mbështetur nga Irani, përfshirë rebelët Houthi të Jemenit.