Vendosni fjalën kyçe....

Rama prezanton qeverinë e re në Asamblenë e PS: Mandati i katërt do të jetë më sfiduesi



Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot qeverinë e re gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, në prag të fillimit zyrtar të mandatit të tij të katërt në drejtimin e vendit.

Në fjalën e tij, Rama e cilësoi këtë mandat si më sfiduesin, ndërsa theksoi se qeveria e re do të marrë detyrën menjëherë pas betimit në Kuvend dhe votëbesimit parlamentar. Ai u ndal edhe tek situata aktuale politike në Tiranë, duke e cilësuar si një emergjencë që duhet adresuar me seriozitet nga mazhoranca.

Kryeministri theksoi se Partia Socialiste ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar ndaj drejtësisë, duke respektuar pavarësinë e saj dhe duke shmangur ndërhyrjet politike, edhe në rastet kur vendimet mund të jenë ndjerë të padrejta nga ana e partisë.

“Dua të them që në fillim sa më qartë atë që besoj duhet ta ndajmë të gjithë së bashku mbi raportin me drejtësinë. PS nuk ka hyrë në asnjë rast në meritën e drejtësisë, aq më tepër kur ajo nuk e ka thënë ende deri në fund fjalën e saj. Nuk kemi bërë kurrë avokatin e askujt,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se nuk ka pendesë për lirinë dhe pavarësinë që reforma në drejtësi i ka dhënë sistemit gjyqësor dhe theksoi se qeveria është tërhequr në mënyrë historike nga çdo ndikim në proceset e përzgjedhjes, emërimit apo shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Mbledhja e sotme e Asamblesë u zhvillua në një moment politik të tensionuar, pas përfundimit të zgjedhjeve vendore dhe zhvillimeve të fundit në Bashkinë e Tiranës, ku ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj janë ngritur akuza të rënda nga SPAK.