
Kreu i PD-së Berisha mblodhi sot kryesinë për të diskutuar aksionin opozitar lidhur me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Në hyrje ai tha se PD-ja u angazhua për të denoncuar atë që ndodhi më 11 maj, të cilën e quajti farsë.
“Mblidhemi sot për një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm, qëndrimin e forcës sonë politike ndaj farsës elektorale të 11 majit. PD, si forca kryesore opozitare, u angazhua në një përpjekje intensive ndërkombëtare për të denoncuar këtë situatë në të gjitha organizatat ku jemi të anëtarësuar apo federuar,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një diktaturë autokratike dhe rrëshqitja drejt saj ka ndodhur edhe për shkak të punës së dobët të opozitës, në një autokritikë.
“Fatkeqësisht, nuk është gjerësisht e kuptuar se Shqipëria përjeton një diktaturë autokratike. Kjo më shqetëson jo vetëm për opinionin publik, por më shumë për anëtarësinë dhe mbështetësit tanë. Nuk vjen nga mosdashja e anëtarësisë, por ka faktorë të shumtë, mes tyre, puna jonë e dobët për të qartësuar konceptet fundamentale politike dhe për të ndriçuar anëtarësinë përballë një regjimi që ka kapur çdo pushtet.” – shtoi Berisha.