
Administrata e Donald Trump pritet të njoftojë brenda ditës së martë se selia e Komandës Hapësinore të SHBA-së (U.S. Space Command) do të zhvendoset nga Colorado Springs, Kolorado, në Huntsville, Alabama, raportojnë një zyrtar amerikan dhe një burim i afërt me diskutimet, raporton Reuters.
Ky vendim, që shihet si një shpërblim për një shtet që e ka mbështetur fuqishëm Trump-in në tre fushatat e tij presidenciale, pritet të ndodhë në kurriz të Kolorados, e cila ka votuar kundër tij.
Pentagoni fillimisht publikoi në faqen e tij të internetit një njoftim për një “njoftim për selinë e Komandës Hapësinore” në orën 20:00 me orën e Evropës Qendrore, por më pas e hoqi këtë njoftim.
Vendimi i ri përmbys zgjedhjen e bërë nga administrata e ish-presidentit Joe Biden, e cila në vitin 2023 e kishte përcaktuar Colorado Springs si selinë e përhershme të komandës më të re luftarake të ushtrisë amerikane. Aktualisht, Space Command operon përkohësisht nga Peterson Space Force Base në Colorado Springs, ku punojnë rreth 1,700 persona.
Trump, i cili shpesh ka lidhur vendimet për financime federale me kalkulime politike, e ka mbrojtur politikën e tij si të drejtë dhe pragmatike.
Ai më herët kishte bllokuar një projekt për të zhvendosur selinë e FBI-së në Maryland, duke e cilësuar atë si një “shtet liberal”, dhe kishte sugjeruar që ndihmat për katastrofat natyrore në Kaliforni të lidhen me politikat e shtetit.
Huntsville, ku ndodhet Qendra Hapësinore Marshall e NASA-s dhe një industri e fuqishme mbrojtjeje me kompani si L3Harris dhe Lockheed Martin, ka lobuar prej kohësh për të pritur selinë e Space Command.
Komanda Hapësinore, e krijuar në vitin 2019 gjatë mandatit të parë të Trump-it, ka për detyrë të mbikëqyrë operacionet ushtarake përtej orbitës së Tokës dhe të mbrojë satelitët amerikanë nga kërcënimet e mundshme.
Zyrtarët e mbrojtjes kanë paralajmëruar se zhvendosja e selisë mund të kushtojë qindra miliona dollarë dhe të zgjasë disa vite.