Vendosni fjalën kyçe....

Kina dhe India premtojnë të jenë “partnerë, jo rivalë”


Udhëheqësit e Kinës dhe Indisë deklaruan se mes dy vendeve po forcohet besimi reciprok, pas viteve të tensioneve të shkaktuara edhe nga mosmarrëveshjet kufitare.

Presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministri indian Narendra Modi u takuan në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në qytetin port të Tianjin-it.

 Ky ishte viziti i parë i Modi-t në Kinë pas shtatë vitesh.

Gjatë takimit, Xi i tha Modi-t se Kina dhe India duhet të jenë partnerë dhe jo rivalë, ndërsa Modi u shpreh se tashmë ekziston një “atmosferë paqeje dhe stabiliteti” mes dy vendeve, përcjell BBC.

Samiti, i cili po mbahet me pjesëmarrjen e mbi 20 liderëve botërorë, përfshirë edhe presidentin rus Vladimir Putin, po zhvillohet në një moment të tensionuar nga luftërat tregtare me SHBA-në.

Administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur tarifa të larta mbi produktet indiane për shkak të blerjes së naftës ruse nga India, ndërsa Putini përballet me kërcënime për sanksione për shkak të luftës në Ukrainë.

Në këtë kontekst, afërsia mes Nju Delhit dhe Pekinit po rritet. Dy vendet, përveçse janë më të populluara në botë, kanë edhe disa nga ekonomitë më të mëdha globale.

Modi njoftoi se fluturimet mes Indisë dhe Kinës – të pezulluara që prej përplasjes vdekjeprurëse mes trupave në kufirin Himalajan në vitin 2020 – do të rifillojnë, megjithëse nuk dha një datë të saktë.

Xi nënvizoi se “të dyja palët duhet ta trajtojnë dhe menaxhojnë marrëdhënien e tyre nga një perspektivë strategjike dhe afatgjatë” dhe se “të jesh miq është zgjedhja e duhur për të dyja palët”.

Samiti i SCO-së, edhe pse kryesisht simbolik, po shërben për të shprehur shqetësime dhe interesa të përbashkëta.

Ai po zhvillohet vetëm pak ditë para paradës së madhe ushtarake në Pekin, me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Organizata, e krijuar në vitin 2001 nga Kina, Rusia dhe katër vende të Azisë Qendrore, ka aktualisht 10 anëtarë, mes tyre edhe Pakistanin dhe Iranin, si dhe 16 partnerë e vëzhgues.

Ndërkohë, në Tianjin, samiti është shndërruar në një ngjarje madhore.

Banderola dhe reklama gjenden kudo në qytetin port, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur në zonat buzë lumit për të ndjekur shfaqjet me drita në ndërtesat shumëkatëshe.

Megjithatë, policia ka këshilluar mbi 13 milionë banorët e qytetit të kufizojnë lëvizjet gjatë zhvillimit të samitit.