Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Nuk është shkruar asnjë përmbajtje që bie ndesh me vlerën e shenjtë të popullit tonë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në një konferencë për media në prag të vazhdimit të seancës konstituive, ka thënë se nuk është hera e parë që ai dhe Lëvizja Vetëvendosje sulmohen me të pavërteta.

Në punimin ku ai është bashkautor, thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Basha tha se “distancohem nga të gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere”.

Ai tha se në vitin 2012, në kohën kur ka qenë student, sikurse dhe plotë studentë të tjerë ka dorëzuar punimet për publikim. Asokohe, theksoi ai, ka bërë hulumtim për çështjen e depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore por ka pasur në fokus Kosovën.

“Mbaj përgjegjësi vetëm për këtë pjesë dhe nuk kam shkruar asnjë shkronjë, asnjë fjalë e asnjë fjali nga kapitujt tjerë. Dua të deklaroj me përgjegjësinë më të madhe qytetare dhe kombëtare që kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me vlerën e shenjtë të popullit tonë”,tha Basha.

Një ditë më parë, ai kishte thënë në Facebook se kontributi i tij në këtë punim ishte vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.