Vendosni fjalën kyçe....

Teliti: Bashkia e Tiranës ka transformuar procesin e rindërtimit në një farsë tragjike, qindra familje në mëshirë të fatit


Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, ka akuzuar Bashkinë për keqmenaxhim të fondeve dhe zvarritje në procesin e rindërtimit, duke lënë qindra familje në vështirësi.

Ai thekson se nga 53 milionë euro të dedikuara vitin e kaluar, janë shpenzuar vetëm 26 milionë, ndërsa rindërtimi i shtëpive po pengohet nga abuzime me tenderat dhe punime jashtë standardeve. 

Denoncimi i Telitit:

SKANDAL: RINDËRTIMI NJË GËNJESHTËR E MADHE E BASHKISË TIRANË!

Është e papranueshme dhe thellësisht revoltuese të shohësh si Bashkia Tiranë ka transformuar procesin jetik të rindërtimit në një farsë tragjike, duke lënë qindra familje të Tiranës ende në mëshirë të fatit.

Shifrat flasin vetë: 53 milionë euro ishin në dispozicion për rindërtimin vetëm vitin e kaluar, por Bashkia shpenzoi vetëm 26 milionë euro – më pak se gjysma!

Ku shkuan paratë e tjera? Kjo nuk është thjesht neglizhencë, kjo është një shuplakë e rëndë për çdo qytetar të prekur!

​Me këtë ritëm tallës, a duhet të presim vërtet deri në dekadën e ardhshme që shtëpitë e nevojtarëve të rindërtohen?

Ndërkohë që kulla pas kulle ngrihet me shpejtësi marramendëse në zemër të Tiranës, duke shërbyer interesat e një klike të ngushtë, rindërtimi i shtëpive të qytetarëve është kthyer në sinonim të zvarritjes së pafundme, abuzimeve flagrante me tenderat, dhe punimeve fantazmë ose jashtë çdo standardi.

Ky nuk është thjesht një dështim menaxherial, por ky është një dështim politik që tregon qartë mungesën e vullnetit dhe ndershmërisë nga ana e drejtuesve të Bashkisë së Kryeqytetit.

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë mashtrim të madh?