
Një samit i shumëpritur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, i zhvilluar në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaska, përfundoi pa arritur ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Të dy liderët e cilësuan takimin si “produktiv”, por nuk ofruan asnjë detaj konkret për progresin e pretenduar.
“Kemi bërë disa hapa përpara,” tha Trump përpara mediave, duke shtuar: “Nuk ka marrëveshje deri sa të ketë marrëveshje.”
Samiti zgjati afro tre orë dhe ishte takimi i parë ballë për ballë mes dy presidentëve që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë më 2022.
Takimi nuk solli hapa të qarta drejt një armëpushimi, megjithëse thjesht ulja në një tryezë me presidentin amerikan u pa si fitore për Putinin, i cili është izoluar nga Perëndimi që prej nisjes së luftës.
Në një intervistë për Fox News pas takimit, Trump deklaroi se do të shtynte vendimin për tarifa ndaj Kinës për blerjen e naftës ruse, duke lënë të kuptohet se kishte bërë përparim me Putinin, përcjell Reuters.
Ai po ashtu sugjeroi se mund të zhvillohej një takim i ardhshëm mes Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ku edhe ai vetë mund të merrte pjesë, pa dhënë detaje për kohën apo organizatorët.
Putin, nga ana e tij, i kërkoi Ukrainës dhe aleatëve evropianë të mos pengonin “progresin që po lind” dhe përsëriti qëndrimin e Moskës se “shkaqet rrënjësore” të konfliktit duhen eliminuar për një paqe afatgjatë, duke treguar se mbetet rezistent ndaj një armëpushimi të menjëhershëm.
Trump sinjalizoi se kishte diskutuar me Putinin rreth “shkëmbimeve territoriale dhe garancive të sigurisë për Ukrainën”, duke shtuar: “Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje… por Ukraina duhet të pajtohet. Ndoshta do të thonë jo.”
Në të njëjtën intervistë, ai këshilloi Zelenskyn: “Duhet bërë një marrëveshje.”
Trump shtoi gjithashtu se do të fliste me Zelenskyn dhe udhëheqësit e NATO-s për t’i informuar mbi bisedimet në Alaska.
Ndërkohë, teksa liderët takoheshin, lufta vijonte me intensitet. Rusia raportoi se kishte rrëzuar 29 dronë ukrainas brenda territorit të saj, ndërsa forcat ajrore të Ukrainës deklaruan se kishin shkatërruar 61 nga 85 dronët rusë të lëshuar gjatë natës.
Takimi nisi me ceremonial të plotë, ku Trump priti Putinin mbi tapetin e kuq në Alaska, nën fluturimin e avionëve ushtarakë amerikanë. Por fundi i samitit u konsiderua i vakët në raport me pritshmëritë dhe deklaratat e Trump gjatë fushatës, kur kishte premtuar se do ta përfundonte luftën brenda 24 orëve.
Në fund të takimit, Trump iu drejtua Putinit: “Faleminderit shumë, do të flasim së shpejti dhe ndoshta do të shihemi përsëri shumë shpejt.”
“Herën tjetër në Moskë,” iu përgjigj me buzëqeshje Putini në anglisht.
Trump, me një gjysmë shaka, tha se mund të kritikohej për këtë, por “nuk e përjashtoi” mundësinë.
Nga Kievi, Zelensky, i lënë jashtë bisedimeve, theksoi se pa përfshirjen e Ukrainës, çdo vendim do të ishte i pavlefshëm: “Është koha të mbarojë lufta, dhe hapat e nevojshëm duhet t’i marrë Rusia. Ne po llogarisim te Amerika,” shkroi ai në Telegram.