
Siguria po iu kushton gjithnjë e më shumë vit pas viti bizneseve, individëve dhe institucioneve. Përparimi teknologjik po gjeneron mundësi të reja, por që kushtojnë dhe krijojnë hapësira për biznes të ri edhe në vendin tonë.
Sektori që përfshin “Shërbimet e sigurisë dhe hetimit; shërbimet për ndërtesat dhe peizazhin (pastrimi); administrimi e zyrave, mbështetja e zyrave dhe shërbime të tjera mbështetëse të biznesit” ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri.
Të dhënat tregojnë se të ardhurat nga ky grup aktivitetesh arritën në 84.4 miliardë lekë në vitin 2023, nga 75 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 67 miliardë lekë në vitin 2021. Shërbimet mbështetëse të biznesit rriten me 26% në dy vjet.
Këto shërbime luajnë në ekonominë shqiptare. Bëhet fjalë për një grup të gjerë aktivitetesh, që nisin nga shërbimet e sigurisë fizike në institucione publike e private, deri te pastrimi profesional, mirëmbajtja e ambienteve të jashtme dhe shërbimet logjistike apo mbështetëse në zyrat e kompanive.
Rritja e të ardhurave për bizneset e sigurisë dhe shërbimeve mbështetëse të zyrave po vjen nga zgjerimi i kërkesës në sektorin privat dhe publikë për të kontraktuar shërbime të jashtme, si dhe zgjerimi i sektorit të shërbimeve call center i cili ka tërhequr një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore, veçanërisht të rinjsh.
Në këtë kontekst, sektori pritet të vazhdojë rritjen, sidomos nëse kombinohet me digjitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e kërkesës ndërkombëtare për shërbime në distancë.
Studimet vendase tregojnë se Sektori privat i sigurisë përfshin rreth 270 kompani të licencuara që ofrojnë shërbime të tilla. Më shumë se 12,800 roje private punësohen në këtë sektor, afërsisht po aq sa Policia e Shtetit.
Afërisht kostot për punonjës në muaj për kompanitë e sigurimit janë 400-600 euro në muaj. Studimet tregojnë se objekte mesatare, bizneset mund të shpenzojnë 5,000–10,000 euro në vit për një vendroje sigurie dhe shumëfish për sisteme shërbimi më të mëdha.
Vitet e fundit institucionet financiare dhe bankat harxhojnë vlera shumë më të mëdha jo vetëm për sigurinë fizike por edhe kundër mashtrimeve në internet.
Përhapja e teknologjisë dhe automatizimit të punës është duke zgjeruar mashtrimin online duke bërë që shumë kompani të zgjerojnë financimet për mbrojtje ndaj sulmeve kibernetikë. Me avancimin teknologjik do të rriten më tej edhe shpenzimet për sigurinë ndaj sulmeve virtuale krahas atyre fizike./Monitor