
Tarifat e vendosura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hynë në fuqi të enjten në mëngjes, duke sjellë pasoja të dukshme në ekonomi pas muajsh paralajmërimesh.
Sipas Laboratorit të Buxhetit në Yale, këto tarifa do ta çojnë normën mesatare të taksave të importit në 18.3% – niveli më i lartë në SHBA që nga viti 1934. Kjo do të thotë se amerikanët do të paguajnë më shumë për pothuajse çdo produkt të importuar.
Ndërkohë, kompanitë në SHBA po reagojnë në mënyra të ndryshme. Disa prodhues makinash, për shembull, po përpiqen të përballojnë kostot pa i transferuar ato te konsumatorët. Por shumica e ekonomistëve paralajmërojnë se në fund, është publiku amerikan që do të ndiejë më shumë peshën e rritjes së çmimeve.
Më shumë se 60 vende dhe Bashkimi Evropian përballen me tarifa prej 15% ose më të larta. Ndër vendet me tarifa më të larta është India. Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën për të vendosur një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë për blerjen e naftës ruse , duke i çuar tarifat e kombinuara të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj aleatit të saj në 50%, të cilat do të hyjnë në fuqi më vonë këtë muaj.
Presidenti Donald Trump ka vendosur tarifa të reja të larta ndaj importeve nga Brazili dhe Kanadaja, duke i lidhur këto vendime me çështje politike dhe të sigurisë.
Në rastin e Brazilit, Trump ka vendosur një tarifë prej 50% për shumë mallra të importuara, duke e lidhur hapur me arrestimin shtëpiak të ish-presidentit Jair Bolsonaro, aleat i tij politik.
Ndërkohë, për importet nga Kanadaja, tarifa është vendosur në nivelin 35%. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky vendim erdhi pasi Kanadaja nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar trafikimin e drogës dhe krimin ndërkufitar, përfshirë arrestimin dhe ndalimin e trafikantëve dhe kriminelëve./AP



