Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Gonxhja prezanton strategjinë e re për sektorin audiovizual: Fokus te bashkëpunimi dhe rritja e standardeve


Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim me kineastët shqiptarë dhe kryetarin e ri të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), ku u prezantuan vizioni dhe hapat konkretë të strategjisë së re për zhvillimin e sektorit audiovizual në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Gonxhja e cilësoi këtë takim si një moment të rëndësishëm për të ndarë me komunitetin e industrive kreative prioritetet për të ardhmen, me në fokus rritjen e transparencës, standardeve profesionale dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Sipas tij, së bashku me përfaqësues të QKK-së dhe ekspertë ndërkombëtarë të ftuar nga British Council, janë prezantuar pikat kryesore të strategjisë së re për audiovizualin, e ndërtuar mbi nevojat dhe potencialin e tregut vendas dhe atij ndërkombëtar.

Ndër risitë kryesore të paraqitura gjatë takimit ishte rregullorja e re e aplikimit në QKK, e cila synon të thjeshtojë procedurat dhe të krijojë më shumë hapësira për projekte cilësore.

Po ashtu u theksuan mundësitë konkrete që ofron Media Desk i Creative Europe për përfshirjen e kineastëve shqiptarë në rrjete dhe bashkëprodhime evropiane.

“Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe me partneritete të qëndrueshme, mund të ndërtojmë një ekosistem të fortë për krijimtarinë audiovizuale në Shqipëri – një sektor që jo vetëm përfaqëson identitetin tonë kulturor, por ka edhe potencial real për zhvillim ekonomik dhe diplomaci kulturore”, u shpreh ministri Gonxhja.