Vendosni fjalën kyçe....

Plani më i shtrenjtë i mbrojtjes, Trump 151 miliardë dollarë për mbrojtjen raketore “Kupola e Artë”


Administrata Trump po kërkon të shpenzojë deri në 151 miliardë dollarë për teknologji për projektin e saj “Kupola e Artë”, ndërsa fillon procesin e prokurimit për një nga planet më të shtrenjta dhe ambicioze të mbrojtjes në historinë e SHBA-së.

Agjencia amerikane e mbrojtjes nga raketat tha të premten se së shpejti do t’u bëjë thirrje kompanive të paraqesin propozime për një “sistem mbrojtës të përparuar dhe shumëplanësh”, të aftë për të zbuluar dhe zhbërë kërcënimet “në të gjitha fazat e fluturimit nga raketat balistike, hipersonike dhe ato lundruese”.

Sipas projektit, “Kupola e Artë”, qeveria synon të shpenzojë 151 miliardë dollarë gjatë një periudhe 10-vjeçare për një gamë të gjerë kontratash. Shuma mbulon kërkimin dhe zhvillimin, sigurinë kibernetike dhe projektimin dhe montimin e armëve, ndër shërbime të tjera.

Nëse fondet shpërndahen, kjo do çonte në një fitim të papritur për kompanitë e reja të teknologjisë hapësinore dhe të mbrojtjes, si dhe për kontraktorët tradicionalë të mbrojtjes.Presidenti Trump ka premtuar të shpenzojë 175 miliardë dollarë për sistemin – i projektuar për të imituar infrastrukturën e “Kupolës së Hekurt” të Izraelit – dhe është zotuar ta vërë atë në funksion brenda tre vjetësh.

Por analistët e pavarur kanë hedhur dyshime mbi buxhetin dhe afatin kohor të propozuar të projektit.Zyra e Buxhetit të Kongresit në maj vlerësoi se një sistem i ngjashëm me “Kupolën e Hekurt” mund të kushtojë deri në 542 miliardë dollarë gjatë dy dekadave.Disa kompani tashmë janë rreshtuar për të siguruar kontrata për nismat, një nga hapat e parë në një proces të gjatë federal të prokurimit.

Drejtori ekzekutiv i “Booz Allen Hamilton”, Horacio Rozanski, u tha analistëve të premten se kompania teknologjike dhe konsulente “mund të luajë një sërë rolesh” në “Golden Dome” dhe po “merrte pjesë në procesin e prokurimit ndërsa ai po përshpejtohet”.

Kontraktori i mbrojtjes “L3Harris” këtë javë njoftoi një zgjerim në objektet e prodhimit pjesërisht për të përmbushur kërkesën e Golden Dome, ndërsa grupet e hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes “Northrop Grumman”, “RTX” dhe” Lockheed Martin” kanë shprehur të gjithë interesin për t’u partnerizuar me qeverinë amerikane në këtë projekt, shkruan FT.

“SpaceX” i Elon Musk, i cili mbizotëron biznesin e lëshimit të satelitëve në SHBA, ka të ngjarë të përfitojë gjithashtu nga projekti, pavarësisht se ai u grind publikisht me Trump.Presidenti këtë javë mohoi se administrata e tij po kërkonte të dëmtonte bizneset e miliarderit, pas raportimeve se qeveria po kërkonte alternativa ndaj SpaceX pasi Musk u kthye kundër Trump. Presidenti tha se donte që kompanitë e Musk të “lulëzonin”.