
Përleshjet e dhunshme midis fiset beduine dhe luftëtarëve druza kanë vazhduar në provincën jugore siriane Suveida, pavarësisht një armëpushimi të shpallur nga qeveria e përkohshme siriane. Që prej së dielës, mbi 900 persona janë vrarë, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), dhe situata humanitare është përshkruar si katastrofike.
Qeveria e udhëhequr nga presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa kishte urdhëruar një ndalim të menjëhershëm të luftimeve dhe kishte dërguar forca të sigurisë për të stabilizuar situatën. Por përleshjet rifilluan vetëm një ditë pas tërheqjes së ushtrisë nga zona, e cila ndodhi pas bombardimeve izraelite dhe presionit diplomatik, përcjell Guardian.
Në një fjalim televiziv, Sharaa akuzoi grupet e armatosura druza për nisjen e sulmeve hakmarrëse ndaj fiseve beduine, ndërsa e cilësoi ndërhyrjen izraelite si një “fazë të rrezikshme” për vendin. Ndërkohë, një nga udhëheqësit shpirtërorë të komunitetit druza, Sheikh Hikmat al-Hijri, deklaroi se armëpushimi do të siguronte korridore humanitare për civilët e bllokuar.
Megjithatë, gazetarët e AFP raportuan për përleshje në kryeqytetin provincial, ndërsa luftëtarët druza u përballën me beduinë të mbështetur nga islamistë të ardhur nga pjesë të tjera të Sirisë. Një luftëtar beduin deklaroi për AFP: “Do t’i therim [druzat] në shtëpitë e tyre.”
Ndërhyrja izraelite dhe armëpushimi i shpallur më pas nga ambasadori amerikan në Ankara, Thomas Barrack, u mbështet gjithashtu nga Turqia dhe Jordania. Izraeli ka mbështetur luftëtarët druza, të cilët përbëjnë një pakicë besnike brenda Izraelit dhe shërbejnë shpesh në ushtri.
Presidenti Sharaa falënderoi publikisht SHBA-në për rolin në arritjen e armëpushimit dhe për angazhimin e saj ndaj stabilitetit të Sirisë. Por Izraeli shprehu skepticizëm ndaj premtimeve të Sharaa për mbrojtjen e pakicave, duke përmendur masakra të mëparshme ndaj komuniteteve Alawite dhe Druze.
Ndërkohë, Observatori Sirian raportoi se spitalet në Suveida janë jashtë funksionit, kufomat po kalben dhe plaçkitja është e përhapur. Përfaqësues të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar thanë se furnizimet mjekësore janë drejt përfundimit dhe ndërprerjet e energjisë po e bëjnë të pamundur ruajtjen e trupave në morgje.
Zhvillimet kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi autoritetin e Sharaa dhe qeverisë së tij të përkohshme, sidomos pasi vendimi për të tërhequr forcat qeveritare nga Suveida shihet si një sinjal që mund të nxisë kërkesa për autonomi nga pakicat e tjera.
Sipas analistëve, vendimi mund të çojë drejt fragmentimit të Sirisë, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë përfshirje më të madhe të pakicave në drejtimin e vendit gjatë periudhës kalimtare.
Ndërkohë, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për hetime të pavarura për dhunën në Suveida dhe për mbajtjen përgjegjës të autorëve të krimeve ndaj civilëve.