Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënim me audio ndaj Endri Shabanit, reagon “Shqipëria Bëhet”: Distancohemi nga gjuha e dhunës, presim reflektim nga pala tjetër


Një mesazh kërcënues në formën e një audioje drejtuar kryetarit të partisë “Nisma Thurje”, Endri Shabani, ka qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime. Mesazhi është dërguar përmes WhatsApp-it nga një numër me kod ndërkombëtar të Torontos në Kanada.

Në audio, dëgjohet një zë mashkullor që e akuzon Shabanin për pabesi dhe e kërcënon me pasoja të rënda, ndërsa përmend edhe emra të tjerë të përfshirë në debatin politik pas zgjedhjeve të 11 majit, ku “Nisma Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet” garuan së bashku.

Pas përhapjes së këtij materiali, ka ardhur reagimi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj. Në një deklaratë publike, lëvizja shprehet se distancohet plotësisht nga çdo formë gjuhe dhune, fyerjeje apo kërcënimi, duke theksuar se këto qëndrime nuk përfaqësojnë vlerat mbi të cilat është ngritur kjo forcë politike.

“Në dritën e ngjarjeve të fundit… nuk përfaqësojmë dhe nuk mbështesim asnjë formë gjuhe fyese, kërcënuese apo të dhunshme që bie ndesh me vlerat tona,” thuhet në reagim.

Sa i takon përplasjes politike për mandatin e fituar në zgjedhjet e fundit, “Shqipëria Bëhet” thekson se nuk po i shmanget përgjegjësisë, por po kërkon që marrëveshja parazgjedhore të zbatohet sipas dakordësisë me qytetarët gjatë fushatës.

“Ne nuk do të heqim dorë nga besimi se gara e ndershme është rruga e vetme për të rikthyer besimin në demokraci… Jemi në pritje të reflektimit dhe uljes për zgjidhje nga pala tjetër në koalicion,” thuhet më tej në deklaratë.

Lëvizja e drejtuar nga Lapaj përmbyll reagimin duke theksuar se ky është një moment që duhet tejkaluar me maturi dhe përgjegjësi ndaj votuesve, ndërsa apelon për bashkëpunim dhe rikthim të vëmendjes te puna për zgjedhjet vendore.