
Presidenti rus Putin synon të vijojë luftën në Ukrainë derisa Perëndimi të angazhohet sipas kushteve të tij për paqe, i paprekur nga kërcënimet e Donald Trump për sanksione më të ashpra, dhe kërkesat e tij territoriale mund të zgjerohen ndërsa forcat ruse përparojnë, thanë tre burime pranë Kremlinit.
Putin, i cili urdhëroi trupat ruse të sulmonin Ukrainën në shkurt 2022 pas tetë vitesh luftimesh në lindje të vendit midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase, beson se ekonomia dhe ushtria e Rusisë janë mjaft të forta për t’i bërë ballë çdo mase shtesë perëndimore, thanë burimet.
Trump të hënën shprehu zhgënjim me kundërshtimin e Putinit për të rënë dakord për një armëpushim dhe njoftoi një valë furnizimesh me armë për Ukrainën, duke përfshirë sistemet e raketave tokë-ajër Patriot. Ai gjithashtu kërcënoi me sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.
Të tre burimet ruse, të njohura me mendimin e nivelit të lartë të Kremlinit, thanë se Putin nuk do e ndalë luftën nën presionin e Perëndimit dhe beson se Rusia – e cila u ka mbijetuar sanksioneve më të ashpra të vendosura nga Perëndimi – mund të durojë vështirësi të mëtejshme ekonomike, duke përfshirë tarifat e kërcënuara të SHBA-së që synojnë blerësit e naftës ruse.
“Putin mendon se askush nuk është angazhuar seriozisht me të për hollësitë e paqes në Ukrainë – përfshirë amerikanët – kështu që ai do vijojë derisa të marrë atë që dëshiron”, tha një nga burimet për Reuters në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së gjendjes.
Pavarësisht disa telefonatave midis Trump-it dhe Putin-it, dhe vizitave në Rusi nga i dërguari special i SHBA-së Steve ëitkoff, udhëheqësi rus beson se nuk ka pasur diskutime të hollësishme mbi bazën e një plani paqeje, tha burimi.
“Putin e vlerëson marrëdhënien me Trump–in dhe pati diskutime të mira me ëitkoff–in, por interesat e Rusisë janë mbi të gjitha”, shtoi personi.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë shkrim.
Kushtet e Putinit për paqe përfshijnë një premtim ligjërisht të detyrueshëm se NATO nuk do zgjerohet drejt lindjes, asnjanësinë e Ukrainës dhe kufizimet në forcat e saj të armatosura, mbrojtjen e folësve rusë që jetojnë atje dhe pranimin e përfitimeve territoriale të Rusisë, thanë burimet.
Ai është gjithashtu i gatshëm të diskutojë një garanci sigurie për Ukrainën që përfshin fuqitë e mëdha, megjithëse nuk është aspak e qartë se si do funksiononte kjo, thanë burimet.
Presidenti Zelensky ka thënë se Ukraina nuk do e njohë kurrë sovranitetin e Rusisë mbi rajonet e saj të pushtuara dhe se Kievi ruan të drejtën sovrane për të vendosur nëse dëshiron të bashkohet me NATO-n. Zyra e tij nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë shkrim.
Megjithatë, një burim i dytë i njohur me mendimin e Kremlinit tha se Putini i konsideronte qëllimet e Moskës shumë më të rëndësishme sesa çdo humbje e mundshme ekonomike nga presioni perëndimor dhe ai nuk ishte i shqetësuar nga kërcënimet e SHBA-së për të vendosur tarifa ndaj Kinës dhe Indisë nëse ato blejnë naftën ruse.
Dy nga burimet thanë se Rusia ka epërsi në fushën e betejës dhe ekonomia e saj, e orientuar drejt luftës, po tejkalon prodhimin e aleancës së NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të në municione kyçe, si predha artilerie.
Rusia, e cila tashmë kontrollon gati një të pestën e territorit ukrainas, ka përparuar rreth 1,415 km katrorë në tre muajt e fundit, sipas të dhënave nga DeepStateMap, një hartë inteligjence me burim të hapur e konfliktit.
“Oreksi vjen duke ngrënë”, tha burimi i parë, që do të thotë se Putini mund të kërkojë më shumë territor nëse lufta nuk ndalet. Dy burimet e tjera konfirmuan në mënyrë të pavarur të njëjtën gjë.
Rusia aktualisht kontrollon Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, plus të gjithë rajonin lindor të Luhanskut, më shumë se 70% të rajoneve të Donetskut, Zaporozhias dhe Khersonit, dhe copëza të rajoneve të Kharkivit, Sumit dhe Dnipropetrovskit. Qëndrimi publik i Putinit është se pesë rajonet e para – Krimea dhe katër rajonet e Ukrainës lindore – tani janë pjesë e Rusisë dhe Kievi duhet të tërhiqet përpara se të ketë paqe.
Putini mund të vijojë të luftojë derisa mbrojtja e Ukrainës të shembet dhe të zgjerojë ambiciet e tij territoriale për të përfshirë më shumë nga Ukraina, thanë burimet.
“Rusia do veprojë bazuar në dobësinë e Ukrainës”, tha burimi i tretë, duke shtuar se Moska mund ta ndalë ofensivën e saj pasi të ketë pushtuar katër rajonet lindore të Ukrainës nëse has rezistencë të fortë.
“Por nëse rezistenca bie, do ketë një pushtim edhe më të madh të Dnipropetrovskut, Sumit dhe Kharkivit”.
Zelensky ka thënë se ofensiva e verës e Rusisë nuk po shkon aq me sukses sa shpresonte Moska. Udhëheqësit e tij, të cilët pranojnë se forcat ruse janë më të shumta se ato të Ukrainës, thonë se trupat e Kievit po e mbajnë vijën dhe po e detyrojnë Rusinë të paguajë një çmim të lartë për përparimet e saj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani