
Një 39-vjeçar është arrestuar në Greqi në kuadër të operacionit “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe homologëve grekë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në shkurt 2025 tentoi të vriste me thikë një 40-vjeçar në Korçë. Gjykata kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Vijon bashkëpunimi me homologët, në kuadër të operacionit “The Wanted”.
Tentoi të vriste një shtetas në Korçë në muajin shkurt 2025, kapet në Greqi dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 39-vjeçari.
Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët në Greqi, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për sigurimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi vendndodhjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u mundësua lokalizimi në Greqi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit:
M. alias D. M., 39 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin e datës 09.02.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Shtetasi D. M. akuzohet se më datë 04.02.2025, në qytetin e Korçës, ka tentuar të vrasë shtetasin E. Sh., 40 vjeç, duke e goditur me mjet prerës (thikë).
Interpol Tirana dhe Interpol Athina do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.