
Pas ultimatumit të dhënë tre ditë më parë nga kryeministri Edi Rama në takimin me kryetarët e bashkive në Durrës, ka nisur sot zbatimi i masave kundër tregtimit të produkteve ushqimore pa faturë tatimore.
Aksioni, i përqendruar te produktet e mishit, bulmetit dhe veçanërisht qumështit të tregtuar në rrugë, ka për qëllim të garantojë gjurmueshmërinë e mallrave dhe sigurinë ushqimore. Kryeministri theksoi se që nga e hëna nuk do ketë më paralajmërime, por vetëm sekuestrime të produkteve pa faturë.
“Duke filluar nga e hëna, nuk ka më paralajmërime, po vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë,” deklaroi Rama.
Ministrat Petrit Malaj dhe Anila Denaj kanë konfirmuar nisjen e inspektimeve intensive në terren, me përfshirjen e tyre direkte në tregje dhe pika të shumicës. Megjithatë, masa pritet të ketë ndikim të ndjeshëm te blegtorët dhe prodhuesit e vegjël.