
Tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar në Shqipëri nga Greqia, Belgjika dhe Serbia, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Athinë, Bruksel dhe Beograd.
Të ekstraduarit janë:
Mikel Hoxha, i njohur edhe si Mikel Papa, u kap në Greqi, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Beratit me 4 vite burgim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai akuzohet për investime në pasuri të paluajtshme dhe transferim të shumave të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të siguruara nga shfrytëzimi për prostitucion, për të cilën është dënuar më parë në Itali. Nga ky vendim, Hoxhës i mbeten për të vuajtur 3 vjet e 9 muaj burgim.
Armando Gropa, 40 vjeç, u kap në Belgjikë, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kishte kultivuar 140 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa në tokën e tij në fshatin Grizë.
Suard Onuzi u kap në Serbi, pasi ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Kukësit, e cila në vitin 2023 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri një automjet tip “Mercedes Benz”, i denoncuar si i vjedhur në Francë.