
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025, Administrata Doganore ka realizuar planin e të ardhurave në masën 113.7 miliardë lekë ose më shumë se 1.16 miliardë euro në buxhetin e shtetit. Burimet zyrtare bëjnë me dije se “efikasiteti në administrimin doganor, digitalizimi shërbimeve, zbatimi ligjit kundër kontrabandës dhe evazionit, rritja e konsumit të mallrave të akcizës kanë përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme performancën e doganave me 3.6 miliardë lekë më shumë(+3.3% rritje) se gjashtëmujori i parë i vitit 2024”.
Për 6-mujorin e parë produktet e akcizës kanë patur ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave doganore kryesisht nga karburanti që ka sjell në buxhet +1,7 miliardë lekë, cigaret me + 720 milionë lekë, pije alkoolike vendase me +40 milionë lekë dhe birrë importi +55 milionë lekë, më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Të dhënat operative tregojnë se edhe në sasitë e zhdoganuara të gjithë mallrat që paguajnë akcizë gjatë 6 mujorit të parë 2025 kanë performuar pozitivisht si në të ardhura, ashtu edhe në sasi të konsumuar, duke regjistruar nivelet më të larta historike si karburanti me +43,674 ton, Birrë: +4,770 ton, Kafe: +97 ton dhe cigare: +96 ton.
Gjatë periudhës janar–qershor, rritja e të ardhurave si pasojë e rritjes së sasive të importit në total të mallrave ka arritur në 7,9 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.