
Partia e Lirisë ka bërë publike një ankesë zyrtare drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qosja, ku denoncohet kufizimi i paligjshëm i të drejtës për takime dhe biseda telefonike me Ilir Metajn, President i Partisë së Lirisë dhe i paraburgosur në IEPV “Jordan Misja” në Tiranë.
Në ankesën e dërguar, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, shpreh shqetësimin për një masë të vendosur që ai e konsideron të padrejtë dhe arbitrare. Blushi thekson se kjo masë është vendosur pa paralajmërim dhe është në shkelje të ligjit Nr. 81/2020 për të drejtat e të paraburgosurve, si dhe të vendimit nr. 209, datë 6 prill 2022, që rregullon funksionimin e burgjeve.
Ai argumenton se kjo veprim është një shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe synon të pengojë aktivitetin politik të Partisë së Lirisë, një nga partitë kryesore opozitare në vend.
Në ankesë po ashtu bëhet me dije se më 18 dhjetor 2024, SPAK-u ka miratuar takimet e Blushit me Metajn në ambientet e paraburgimit, por administrata e IEPV “Jordan Misja” ka refuzuar disa herë këto takime, madje duke bllokuar edhe deputetët dhe eurodeputetët që kanë të drejtë të takohen me të paraburgosurin pa nevojën e një autorizimi paraprak nga prokurori.
Partia e Lirisë kërkon menjëherë rivendosjen e të drejtës për të komunikuar me Ilir Metajn dhe ndalimin e çdo mase të mëtejshme represive që është e paligjshme. Për këtë çështje, janë njoftuar edhe Ministria e Drejtësisë, drejtuesi i SPAK dhe Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut.