
Dy zjarrfikës humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur në SHBA, pasi u qëlluan me armë zjarri ndërsa po përpiqeshin të shuanin një zjarr në shkurre pranë qytetit malor Coeur d’Alene. Ngjarja ndodhi në malin Canfield dhe, sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Kootenai, sulmi u krye nga një person i armatosur me një pushkë.
Autoritetet dyshojnë se zjarri është ndezur qëllimisht nga agresori, si pjesë e një plani për të zënë pritë ndaj forcave të emergjencës. Pas incidentit, forcat speciale SWAT gjetën trupin e pajetë të një burri pranë vendngjarjes, i cili dyshohet të jetë autori i sulmit.
Ndërkohë, autoritetet kanë hequr urdhrin për strehim në vend që u dha për banorët, por i kanë paralajmëruar ata se zjarri në zonë vijon të jetë aktiv dhe paraqet rrezik. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.
Policia amerikane njoftoi se afër trupit të një burri të pajetë u gjet një armë zjarri. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht identitetin e tij dhe as llojin e armës së përdorur. Ende nuk dihet me siguri nëse burri është qëlluar nga policia apo ka kryer vetëvrasje.
Burri dyshohet se qëndroi i fshehur për orë të tëra në zonë malore, ndërsa policia e lokalizoi përmes sinjalit të telefonit të tij celular. Hetimi paraprak sugjeron se ai ka vepruar i vetëm, pavarësisht dyshimeve të mëparshme për katër persona të armatosur. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ai të ketë fshehur armë të tjera në terren.
Dy zjarrfikësit e vrarë nuk janë identifikuar ende publikisht. Njëri ishte pjesë e Departamentit të Zjarrfikësve të Coeur D’Alene dhe tjetri shërbente në ekipin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Qarkut Kootenai. Ata do të nderohen me një ceremoni përkujtimore dhe do të shoqërohen me procesion zyrtar drejt qytetit Spokane në shtetin fqinj të Washingtonit./BBC