
Administrata Trump ka diskutuar mundësinë e ndihmës ndaj Iranit që përfshin deri në 30 miliardë dollarë për të ndërtuar një program bërthamor që prodhon energji civile, duke lehtësuar sanksionet dhe duke liruar miliarda dollarë nga fondet e kufizuara iraniane, të gjitha pjesë e një përpjekjeje në rritje për ta rikthyer Teheranin në tryezën e negociatave, thanë katër burime të njohur me çështjen.
Aktorë kryesorë nga SHBA-ja dhe Lindja e Mesme kanë folur me iranianët prapa skenave edhe mes sulmeve të shumta ushtarake në Iran dhe Izrael gjatë dy javëve të fundit, thanë burimet. Këto diskutime kanë vijuar këtë javë pasi u arrit një marrëveshje armëpushimi, thanë burimet.
Zyrtarët e administratës Trump theksuan se janë paraqitur disa propozime. Ato janë paraprake dhe në zhvillim e sipër me një të panegociueshëm: pasurim zero të uraniumit, për të cilin Irani ka thënë vazhdimisht se i nevojitet. Por të paktën një draft paraprak propozimi, i përshkruar për CNN nga dy burime, përfshin disa stimuj për Iranin.
Disa hollësi u sqaruan në një takim sekret, që zgjati disa orë, midis të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe partnerëve të Gjirit në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, një ditë para sulmeve ushtarake amerikane kundër Iranit, thanë për CNN dy burime të njohura me takimin.
Ndër kushtet që po diskutohen, të cilat nuk janë raportuar më parë, është një investim i vlerësuar prej 20-30 miliardë dollarësh në një program të ri bërthamor iranian pa pasurim që do përdoret për qëllime civile të energjisë, thanë për CNN zyrtarë të administratës Trump dhe burime të njohura me propozimin. Një zyrtar këmbënguli se paratë nuk do vinin direkt nga SHBA-të, të cilat parapëlqejnë që partnerët e tyre arabë të paguajnë faturën. Investimet në objektet e energjisë bërthamore të Iranit janë diskutuar në raundet e mëparshme të bisedimeve bërthamore në muajt e fundit.
“SHBA-të janë të gatshme të udhëheqin këto bisedime me Iranin”, tha zyrtari i administratës Trump për CNN.
“Dhe dikush do duhet të paguajë për ndërtimin e programit bërthamor, por ne nuk do ta bëjmë këtë.”

Stimuj të tjerë përfshijnë heqjen e mundshme të disa sanksioneve ndaj Iranit dhe lejimin e Teheranit për të pasur qasje në 6 miliardë dollarët që aktualisht ndodhen në llogari bankare të huaja, të cilat i është ndaluar t’i përdorë lirisht, sipas draftit të përshkruar në CNN.
Një ide tjetër e dalë javën e kaluar që po shqyrtohet aktualisht është që aleatët e mbështetur nga SHBA-të në Gjirin Persik të paguajnë për të zëvendësuar objektin bërthamor Fordow – të cilin SHBA-të e goditën me bomba gjatë fundjavës – me programin jo-pasurues, thanë dy burime të njohura me çështjen. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse Irani do ishte në gjendje ta përdorte vetë objektin, as nuk ishte e qartë se sa seriozisht po shqyrtohej ky propozim.
“Ka shumë ide që hidhen nga njerëz të ndryshëm dhe shumë prej tyre po përpiqen të jenë krijues”, tha për CNN një nga burimet e njohura me diskutimet.
“Mendoj se është plotësisht e pasigurt se çfarë do ndodhë këtu”, tha një burim i veçantë i njohur me pesë raundet e para të bisedimeve midis SHBA-së dhe Iranit që ndodhën para sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj programit bërthamor të Iranit.
Witkoff i tha CNBC të mërkurën se SHBA-të po kërkojnë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje” dhe një zyrtar i administratës Trump theksoi se të gjitha propozimet janë hartuar për të ndaluar Iranin të sigurojë një armë bërthamore.
SHBA-të kanë thënë se Irani mund të ketë një program bërthamor për qëllime paqësore civile, por se nuk mund ta pasurojë uraniumin për atë program. Në vend të kësaj, SHBA-të kanë sugjeruar që Irani mund të importojë uraniumin e pasuruar. Witkoff e krahasoi programin e mundshëm me atë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Tani çështja dhe biseda me Iranin do jetë, si ta rindërtojmë një program bërthamor civil më të mirë për ju që nuk është i pasurueshëm?” i tha ai CNBC.
Administrata mund të ketë një mundësi për t’u paraqitur iranianëve një fletë me kushte. Presidenti Donald Trump të mërkurën tha se SHBA-të dhe Irani do ulen javën tjetër – megjithëse zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha se nuk ishte në dijeni të bisedimeve javën tjetër, dhe njerëzit e përfshirë në planifikim thanë se hollësitë ishin ende duke u përpunuar.

Burime të njohura me diskutimet i thanë CNN-së se ende nuk janë caktuar data.
Pavarësisht diplomacisë së zjarrtë të udhëhequr nga Witkoff prapa skenave, Trump këtë javë minimizoi publikisht domosdoshmërinë e një marrëveshjeje bërthamore, duke thënë të mërkurën se ai besonte se një marrëveshje e tillë nuk ishte “e nevojshme”.
“Nuk më intereson nëse kam një marrëveshje apo jo,” tha ai.
Ndërsa presidenti dukej publikisht jo i interesuar ndaj arritjes së një marrëveshjeje të re pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi, shumë nga këshilltarët e tij besojnë se ndjekja e një marrëveshjeje afatgjatë do sigurojë që armëpushimi të ketë jetëgjatësi.
Kushtet që u diskutuan në takimin sekret të Witkoff kanë qenë objekt diskutimi të vazhdueshëm midis SHBA-së dhe Iranit përmes bashkëbiseduesve rajonalë – kryesisht nga Katari – në ditët e fundit. Katari gjithashtu luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e armëpushimit të brishtë midis Izraelit dhe Iranit në fillim të kësaj jave dhe do punojë shumë ngushtë me SHBA-në për të siguruar që luftimet midis tyre të mos rifillojnë, shtoi një nga burimet.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani