Vendosni fjalën kyçe....

Irani sulmon bazën amerikane në Katar, shpërthime edhe në Irak (Video)


Tensioni në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm pasi shpërthime të fuqishme janë dëgjuar këtë pasdite mbi kryeqytetin e Katarit, Doha. Lajmi është konfirmuar nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, menjëherë pasi një diplomat perëndimor tha se kishte pasur një kërcënim të besueshëm iranian kundër bazës ajrore al Udeid të drejtuar nga SHBA-të në shtetin arab të Gjirit.

Diplomati foli menjëherë pasi Katari njoftoi se kishte mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore për të garantuar sigurinë e banorëve dhe vizitorëve. Më parë, ambasada e SHBA-së në Katar i kishte këshilluar amerikanët të strehoheshin, për shkak të asaj që e quajti “një masë të jashtëzakonshme kujdesi”.

Autoritetet e Katarit kanë mbyllur hapësirën ajrore si masë parandaluese, në mes të kërcënimeve të përsëritura nga Irani pas sulmeve të fundit amerikane mbi objektet bërthamore iraniane.

Irani ka lëshuar gjashtë raketa të drejtuara ndaj bazave ushtarake amerikane në Katar, ndërsa objektiva të ngjashëm janë goditur edhe në Irak. 

Pak minuta pas raportimeve për shpërthimet, televizioni shtetëror iranian konfirmoi zyrtarisht se forcat e armatosura të Iranit kanë ndërmarrë një sulm ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar, ku janë të stacionuara forca amerikane.

Njoftimi u dha me muzikë marshale dhe me një mbishkrim në ekran që e cilësonte ndërhyrjen si “një përgjigje të fuqishme dhe të suksesshme ndaj agresionit amerikan.”

Ambasadat amerikane dhe britanike në Doha kanë lëshuar paralajmërime urgjente për shtetasit e tyre, duke i udhëzuar që të strehohen në vend dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme. 

Katari reagoi ashpër pas sulmit me raketa ndaj bazës ajrore Al Udeid të drejtuar nga amerikanët duke e quajtur shkelje të hapur të sovranitetit të saj dhe ligjit ndërkombëtar.

Në reagim thuhet gjithashtu se Doha rezervon të drejtën për t’u përgjigjur në mënyrë proporcionale.

Sipas autoriteteve të Katarit, raketat u kapën në ajër dhe nuk u shënuan viktima. Katari kërkoi gjithashtu që t’i jepet fund përshkallëzimit dhe të rikthehet dialogu.

Irani ka lëshuar kërcënime për hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara pasi bombarduesit amerikanë hodhën raketa për depërtim bunkerësh prej 13 tonelatash mbi instalimet bërthamore nëntokësore të vendit gjatë fundjavës, ndërsa presidenti Donald Trump ngriti hapur mundësinë e rrëzimit të qeverisë iraniane.

Më herët të hënën, Izraeli goditi një burg për të burgosur politikë në Teheran në një demonstrim të fuqishëm se po zgjeronte objektivat e tij përtej centraleve ushtarake dhe bërthamore për të synuar drejtpërdrejt shtyllat e sistemit sundues të Iranit.

Dy zyrtarë amerikanë thanë se Uashingtoni vlerësoi se Irani mund të kryejë sulme që synojnë forcat amerikane në Lindjen e Mesme së shpejti, megjithëse SHBA-të ende po kërkojnë një zgjidhje diplomatike që do e bënte Teheranin të heqë dorë nga çdo hakmarrje.