
Parlamenti i Iranit ka votuar në favor të mbylljes së ngushticës së Hormuzit, një nga pikat më kritike të tranzitit të naftës në botë, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare. Megjithatë, vendimi përfundimtar për një masë të tillë do t’i përkasë Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare dhe udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
“Parlamenti ka arritur në përfundimin se ngushtica e Hormuzit duhet të mbyllet, por vendimi përfundimtar për këtë çështje i takon Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare,” tha komandanti i Gardës Revolucionare, Ismail Kowsari, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit, sipas The Jerusalem Post.
Votimi në parlament ndodhi të dielën, një ditë pas operacionit amerikan “Midnight Hammer”, gjatë të cilit shtatë bombardues stealth B2 depërtuan në Iran dhe hodhën 14 bomba MOP (Massive Ordnance Penetrator) mbi dy nga objektet bërthamore të Iranit, përfshirë edhe atë në Fordow. Një objekt i tretë u godit nga raketat lundruese Tomahawk të lëshuara nga nëndetëset amerikane.
Presidenti Donald Trump deklaroi se objektet ishin “shkatërruar plotësisht” nga operacioni amerikan, i cili përfshiu gjithsej 125 avionë dhe u përmbyll brenda 25 minutave. Megjithatë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm amerikan, Gjenerali Dan Caine, u shpreh të dielën se do të duhet kohë për të vlerësuar plotësisht dëmet e shkaktuara në objektet bërthamore.
Bombat MOP të përdorura në këto goditje nuk ishin përdorur kurrë më parë në një skenar lufte.