
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj nismës së Partisë Socialiste për Akademinë Politike, që synon trajnimin e deputetëve të rinj socialistë që do të marrin mandatin në shtator.
Gjatë një deklarate për mediat të enjten, Berisha ironizoi këtë nismë duke thënë se deputetët e PS-së nuk përfaqësojnë qytetarët, por kartelet kriminale dhe drogën.
“Deputetët e partisë së krimit kisha vetëm një fjalë; nuk përfaqësojnë popullin, përfaqësojnë kartelët e drogës dhe të krimit në Shqipëri,” u shpreh Berisha.
Ai i kërkoi atyre që të dorëzojnë mandatet, duke theksuar se vendi ka nevojë për zgjedhje të reja për të rikthyer përfaqësimin e vërtetë të qytetarëve në Kuvend.
“Ju vend në parlament nuk keni. Kaq. Dorëzoni ato mandate të bëhen zgjedhje dhe kjo është e gjithë puna,” tha kreu i opozitës.
Berisha përmendi gjithashtu parregullsitë në procesin zgjedhor, duke e cilësuar famozën Sara Mile si personin që mori të gjitha votat në fletët pa firma, duke lënë të nënkuptohet një manipulim masiv në proces.
Ai përmendi edhe të ashtuquajturin “Treni Bullgar”, duke e cilësuar si një ndër komponentët e skemës së manipulimit, por shtoi se kanë ndodhur edhe ndërhyrje të tjera më të mëdha që, sipas tij, komprometojnë seriozisht integritetin e zgjedhjeve.
Deklaratat e Berishës vijnë në vazhdën e akuzave të tij të ashpra kundër mazhorancës socialiste, të cilat janë intensifikuar pas publikimit të dyshimeve për manipulim të votës së diasporës dhe përfshirje të strukturave shtetërore në procese të paligjshme.