
Kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku shprehu mbështetjen e Gjermanisë për sulmet ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit, por theksoi nevojën për përmbajtje dhe zgjidhje diplomatike, raportoi agjencia Reuters të enjten, duke cituar një burim qeveritar gjerman.
Sipas burimit, Merz konfirmoi mbështetjen parimore të Gjermanisë për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por theksoi rëndësinë e mosshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kërkoi që të intensifikohen përpjekjet diplomatike.
Në këtë kontekst, Gjermania ka planifikuar të presë një takim bërthamor në Gjenevë të premten, ku do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Britanisë, Francës dhe Iranit, me qëllim marrjen e garancive se programi bërthamor iranian përdoret vetëm për qëllime civile.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim, që do të mbahet në përfaqësinë e përhershme të Gjermanisë në Gjenevë.
Në një telefonatë të ndarë me Emirin e Katarit, kancelari Merz është shprehur se është thelbësore që konflikti të mos përhapet në rajon, duke i cilësuar bisedimet e Gjenevës si një mundësi për uljen e tensioneve.
Netanyahu dhe Merz diskutuan gjithashtu edhe situatën në Gaza, ku kancelari gjerman përsëriti qëndrimin e qeverisë gjermane për respektimin e të drejtës ndërkombëtare në luftën e Izraelit kundër Hamasit, në një kohë kur kriza humanitare është thelluar dhe dhjetëra mijë civilë janë vrarë.