
Presidenti turk Erdogan urdhëroi zyrtarët të rrisin prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi mes luftës Izrael-Iran, një përshpejtim i planeve për të zhvilluar një industri të fortë vendase.
Ky veprim vjen ndërsa Izraeli dhe Irani shkëmbejnë breshëri zjarri për të pestën ditë radhazi, duke rritur frikën për një përhapje të luftës në vende të tjera në Lindjen e Mesme të pasur me naftë. Disa pika të nxehta gjeopolitike i kanë shtyrë vendet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në muajt e fundit, dhe Turqia aspiron të jetë pjesë e asaj gare armatimesh.
“Ne po bëjmë plane prodhimi për të sjellë stoqet tona të raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi në një nivel të mjaftueshëm mes zhvillimeve të fundit”, tha Erdogan pas një takimi të kabinetit të hënën vonë.
Erdogan ka mbështetur prej kohësh përpjekjet e Turqisë për të zhvilluar një industri të pavarur mbrojtëse të aftë për të prodhuar avionë luftarakë, tanke, dronë që fluturojnë lart, fregata dhe tani raketa – për eksport, si dhe për qëllime të brendshme.
Vendet evropiane janë nën presion për të rritur shpenzimet e mbrojtjes mes pushtimit të vijueshëm të Ukrainës nga Rusia dhe ngurrimit të treguar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump për të ofruar mbështetje të pacaktuar për Kievin, duke ofruar mundësi tregtare për Ankaranë. Në mars, Baykar i Turqisë nënshkroi një marrëveshje për të zhvilluar së bashku teknologjitë e dronëve me firmën italiane Leonardo SpA.
Erdogan tha se Lindja e Mesme po përballet me një nivel në rritje të “kërcënimit dhe armiqësisë së shkaktuar nga agresioni i Izraelit” dhe paralajmëroi se “çdo hap i ndërmarrë në rajonin tonë pa marrë në konsideratë faktet fton fatkeqësi të tjera të ndodhin në të ardhmen”.

Një provë e raketës turke ‘Tayfun’. Fotografi: Fikret Delal/Anadolu/Getty Images
Marrëdhënia shpesh e pasigurt e Turqisë me Izraelin u përkeqësua pas fillimit të luftës në Gaza në tetor 2023, ku Erdogan kritikoi ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për ndikimin e fushatës së tij ushtarake mbi civilët palestinezë.
Në prill, tensionet u përshkallëzuan midis dy kombeve pas një serie sulmesh ajrore izraelite në pikat ushtarake në Siri, ku Turqia planifikonte të ndërtonte baza. Bllokimi u zgjidh pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ndërhyri si ndërmjetës dhe të dy vendet krijuan një mekanizëm për të shmangur përplasjen për Sirinë.
Megjithatë, Turqia mbetet e shqetësuar për veprimet ushtarake të Izraelit në rajon dhe aleati nacionalist i Erdoganit e quajti hapur atë një kërcënim për sigurinë.
“Operacioni i kryer në Iran është, në një farë mënyre, një mesazh i zymtë i dhënë Turqisë”, tha javën e kaluar Devlet Bahceli, një aleat i ngushtë i Erdoganit dhe kreu i partisë nacionaliste MHP.
Erdogani shprehu shpresën se procesi i rritjes së prodhimit të raketave do jetë i shpejtë.
“Shpresojmë që, në një proces që nuk është shumë i gjatë, të kemi arritur një kapacitet mbrojtës që askush nuk do guxonte të na sfidonte”, tha ai.
Si pjesë e programit të raketave balistike të Turqisë, Ankaraja ka punuar për të rritur rrezen e veprimit të raketave të saj të prodhuara në vend Tayfun nga rreth 560 kilometra, tha Erdogan në vitin 2022. Ajo planifikoi të ngrinte një vend në Somali për të testuar raketa me rreze të gjatë veprimi dhe raketa hapësinore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani