
Të paktën 51 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 200 të tjerë janë plagosur ndërsa prisnin që kamionët e OKB-së dhe ata komercialë të hynin në territor me ndihma të domosdoshme ushqimore, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë në Gaza dhe një spital lokal.
Dëshmitarët palestinezë thanë se forcat izraelite kryen një sulm ajror mbi një shtëpi aty pranë përpara se të hapnin zjarr mbi turmën në qytetin jugor Khan Younis mëngjesin e së martës. Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një koment për ngjarjen.
Viktimat nuk duket se lidhen me rrjetin e ri të shpërndarjes së ndihmave i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja, i cili u prezantua muajin e kaluar dhe ka qenë objekt kritikash e dhune.
Dëshmitari Yousef Nofal tha se kishte parë shumë njerëz të shtrirë në tokë, të pajetë ose duke gjakosur, pasi forcat izraelite hapën zjarr. “Ishte një masakër,” tha ai, duke shtuar se ushtarët vijuan të qëllonin ndërsa njerëzit përpiqeshin të iknin.
Një tjetër dëshmitar, Mohammed Abu Qeshfa, tha se kishte dëgjuar një shpërthim të madh, pasuar nga të shtëna të dendura dhe bombardime nga tanke. “Shpëtova me mrekulli,” deklaroi ai.
Të plagosurit dhe të vrarët u dërguan në spitalin Nasser në Khan Younis, i cili konfirmoi numrin e viktimave, përcjell The Guardian.
Samaher Meqdad, që ndodhej në spital për të kërkuar dy vëllezërit dhe një nip të saj, tha: “Nuk duam miell. Nuk duam ushqim. Nuk duam asgjë. Pse qëlluan mbi të rinjtë? Pse? A nuk jemi njerëz?”
Sipas palestinezëve, forcat izraelite kanë qëlluar disa herë mbi turma që përpiqeshin të afroheshin tek pikat e shpërndarjes së ndihmave të menaxhuara nga kontraktori privat Gaza Humanitarian Foundation (GHF), i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja. Zyrtarët lokalë të shëndetësisë thonë se dhjetëra janë vrarë dhe qindra janë plagosur.
Në disa prej këtyre rasteve, ushtria izraelite ka pranuar se ka qëlluar të shtëna paralajmëruese ndaj personave që i ka konsideruar “të dyshimtë.”
Qeveria izraelite thotë se sistemi i ri i ndihmave që menaxhohet nga GHF ka për qëllim të parandalojë që ndihmat të përvetësohen nga Hamasi për qëllime militante.
Por OKB-ja dhe organizatat kryesore humanitare e mohojnë këtë pretendim, duke thënë se nuk ka prova të përvetësimeve masive dhe se sistemi i ri është joadekuat për nevojat në rritje dhe bie ndesh me parimet humanitare, pasi i jep Izraelit kontroll mbi aksesin në ndihmat humanitare.
Ekspertët kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë masive në Gaza, ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë.
Rrjeti i shpërndarjes i drejtuar nga OKB-ja ka vijuar ndihmën humanitare gjatë 20 muajve të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, por është përballur me pengesa të shumta pas zbutjes së bllokadës totale nga Izraeli në mars, e cila zgjati deri në mes të majit.
Zyrtarët e OKB-së thonë se kufizimet ushtarake izraelite, rënia e rendit publik dhe plaçkitjet e shumta e bëjnë pothuajse të pamundur shpërndarjen efektive të ndihmave të lejuara për të hyrë.
Fushata ushtarake izraelite e nisur në tetor 2023 ka shkaktuar vdekjen e mbi 55,300 palestinezëve, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ky numër nuk bën dallimin mes civilëve dhe militantëve.
Izraeli nisi fushatën ushtarake pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona, kryesisht civilë, dhe 251 persona u morën peng.
Nga këta, aktualisht 53 pengje mbahen ende nga Hamasi, më pak se gjysma e tyre të gjallë, ndërsa pjesa tjetër është liruar në marrëveshje armëpushimi ose shkëmbime të ndërmjetësuara.