
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për pezullimin nga detyra të tre punonjësve të Komisariatit të Policisë Elbasan, pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Efektivët akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi më 3 qershor nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për sigurimin e një të ndaluari, çka solli arratisjen e tij.
Tre punonjësit e pezulluar janë:
– Nënkomisar A. Zh., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Rendin;
-Inspektor P. B., 54 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Informacioni;
-Inspektor J. Gj., 60 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist për ruajtjen e dhomave të sigurisë.
Sipas hetimeve të kryera nga AMP, efektivët e përfshirë kanë shkelur detyrimet ligjore dhe rregulloret e brendshme të Policisë së Shtetit, duke mos ndërmarrë veprimet e duhura për trajtimin dhe sigurimin e personave të ndaluar.
Ky mosveprim rezultoi në arratisjen e shtetasit B. Z., i cili ndodhej në paraburgim pas arrestimit në flagrancë si i dyshuar për kryerjen e një vepre penale.
AMP bën të ditur se vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rithekson përkushtimin për garantimin e ligjshmërisë brenda radhëve të Policisë së Shtetit.
Institucioni u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të ligjit nga punonjësit e strukturave shtetërore përmes numrit pa pagesë 0800 9090 ose në adresën elektronike ankesa@amp.gov.al.
Njoftim:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre punonjësve të policisë në Komisariatin e Policisë Elbasan, të dyshuar për “Shpërdorim i detyrës”, e konkretisht;
– Nënkomisar A. ZH., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan;
– Inspektor P. B., 54 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Informacioni, në Komisariatin e Policisë Elbasan;
– Inspektor J. GJ., 60 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist për ruajtjen e dhomave të sigurisë, në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Caktimi i masave të sigurisë për punonjësit e policisë të sipërcituar është bërë i mundur, pasi nga hetimet e zhvilluara lidhur me ngjarjen e datës 03.06.2025, janë administruar prova dhe fakte se këta punonjës policie, me anë të mosveprimit dhe në shkelje të dispozitave të parashikuara në aktet ligjore e nënligjore që normojnë punën në Policinë e Shtetit, nuk kanë marrë masat e nevojshme për trajtimin dhe sigurimin e personave të ndaluar/shoqëruar në ambientet e policisë, duke sjellë si pasojë arratisjen e shtetasit B. Z., i cili ishte arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për një vepër penale.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.