
Bilanci i aksidentit të ndodhur ditën e sotme në rrugën Fier–Vlorë është përkeqësuar, duke i marrë jetën edhe pasagjerit të mitur që udhëtonte në motomjet.
Pas vdekjes në vendngjarje të 19-vjeçarit L. Ll., që drejtonte motorin, ka ndërruar jetë edhe 16-vjeçari T. M., i cili ishte pasagjer. Ai ishte në gjendje kritike për jetën dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve gjatë transportit drejt Spitalit të Traumës, nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
“Vlorë/Në vijim të aksidentit të ndodhur sot, në rrugën ‘Demokracia’, ju informojmë se shtetasi L. Ll., 19 vjeç, i cili ndërroi jetë në vendngjarje, ka qenë drejtuesi i motomjetit. Gjithashtu, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në Spitalin e Traumës edhe shtetasi i mitur T. M., 16 vjeç, i cili udhëtonte si pasagjer. Në përfundim të veprimeve hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.”
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti.