
Ish-presidenti Bamir Topi komentoi pasditen e sotme rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit teksa theksoi se opozita ndihet e lumtuar për rezultatin që mori.
I ftuar në rubrikën “Kjo Javë” në News24, ish-deputeti i PD-së tha se Berisha e dinte rezultatin e zgjedhjeve para 11 majit ndërsa shtoi se intelektualët dhe pjesa gri e votuesve të PD-së duhet ta mbyllin përfundimisht raportin shpirtëror me Sali Berishën.
“Ka një hipokrizi tanimë të konfirmuar të Sali Berishës për atë çka ai demonstron në ditët pas zgjedhjeve. Jo në sensin personal, por ka një shfaqje hipokrizie. Njeriu që e dinte dhe e perceptonte rezultatin në mënyrë shumë realiste, është ai. Këtu mbaron besimi që çdo njeri, demokrat, njeri i lirë në zgjedhjet e tij, pjesa gri, për më tepër intelektualët, po të kenë pak sens analize, duhet të mbyllin në mënyrë definitive raportin shpirtëror politik me Sali Berishën. Nuk është çështje e një marrëdhënie personale, ato janë lënë pas, por flas këtu për interesin publik, interesi publik nuk është vetëm ditën që hedh votën, por interesi publik është mbrapa, a përfaqësohesh politikisht apo jo, a realizohen premtimet apo jo, a të kthehet besimi tek institucionet apo jo, a është ky shtet i partive apo i individit.” – tha Topi.