Vendosni fjalën kyçe....

Princi Faisal i Arabisë Saudite do të vizitojë Bregun Perëndimor në një vizitë historike


Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan, pritet të vizitojë këtë fundjavë Bregun Perëndimor, në atë që konsiderohet si një nga vizitat më të rëndësishme të një zyrtari saudit në këtë territor që prej vitit 1967.

Shefi i diplomacisë saudite do të kryesojë një delegacion arab që do të takohet me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe zyrtarë të tjerë të Autoritetit Palestinez gjatë një vizite njëditore, sipas ambasadorit palestinez në Riad, Mazen Ghoneim.

Ghoneim bëri të ditur se në vizitë do të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë dhe vendeve të tjera.

Në një prononcim për televizionin shtetëror saudit Al-Ekhbariya, Ghoneim tha se bisedimet do të përqendrohen në përpjekjet arabe për një zgjidhje me dy shtete, bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit palestinez.

Arabia Saudite dhe Franca pritet të bashkëorganizojnë muajin e ardhshëm një konferencë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku sipas axhendës, Franca do të shpallë njohjen zyrtare të shtetit palestinez.

Manal Radwan, këshilltare e lartë e ministrit saudit të jashtëm, deklaroi se paqja rajonale nis me njohjen e shtetit të Palestinës, “jo si një akt simbolik, por si një domosdoshmëri strategjike.”

Gjatë një seance përgatitore në OKB në fillim të këtij muaji, në kuadër të konferencës së qershorit, Radwan u shpreh: “Civilët vazhdojnë të paguajnë çmimin e një lufte që duhet të marrë fund menjëherë. Përshkallëzimi në Bregun Perëndimor është po aq alarmues. Dëshpërimi thellohet dita-ditës.”

Ajo shtoi: “Pikërisht për këtë arsye duhet të flasim jo vetëm për përfundimin e luftës, por për përmbylljen e një konflikti që ka zgjatur pothuajse tetë dekada.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Alarabiya.net