Vendosni fjalën kyçe....

Alimehmeti ankimon rezultatin e 11 majit, kërkon rinumërimin e votave


Kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit 2025, Ilir Alimehmeti, ka ankimuar zyrtarisht rezultatin pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), duke kërkuar rinumërimin e votave.

Në ankimimin e depozituar, Alimehmeti shprehet se, sipas vendimit nr. 1326, datë 24.05.2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ai është renditur i dyti në listën e hapur me 18,128 vota, ndërkohë që mandatin e fiton vetëm kandidati më i votuar, sipas formulës së re të Kodit Zgjedhor.

Ai argumenton se gjatë verifikimit të pamjeve filmike të siguruara nga KQZ, janë konstatuar parregullsi që, sipas tij, mund të kenë ndikuar ndjeshëm në rezultatin përfundimtar.

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë. Bashkëngjitur këtij vendimi, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për subjektin tonë zgjedhor, rezulton se unë, Ilir Alimehmeti, kam marrë 18,128 vota si kandidat i listës së hapur, duke u renditur i dyti nga kandidatët e listës së hapur. Referuar numrit të përgjithshëm të votave të subjekteve sipas këtyre tabelave, nga listat e subjektit tonë zgjedhor mund të zgjidhet vetëm 1 deputet nga listat e hapura, që referuar parashikimeve të Kodit Zgjedhor me ndryshimet e bëra së fundmi, është kandidati më i votuar.

Gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor”, thuhet në ankimimin e tij.

Alimehmeti sqaron në dokument se, duke u bazuar në këqyrjet, rezulton sipas tij një parregullsi në masën rreth 5% të votave të numëruara.

“Duke pasur parasysh faktin që subjekti ynë ‘PD-ASHM’ ka marrë 164,316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, në kushtet kur diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara në listë është tejet e ngushtë, ose rreth 1.2% e numrit total të të gjitha votave të subjektit. Vetëm në QV 1834/00, rezulton se 27 vota preferenciale për Ilir Alimehmeti i janë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota”, shkruan ai, duke renditur më pas edhe qendrat e votimit ku sipas tij ka pasur probleme të tilla.

“Qendrat e votimit të mësipërme krijojnë bindjen se numërimi ka pasur problematika në të gjithë Qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit.

Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme, përfundimisht:

KËRKOJ:

Rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të Qarkut Tiranë;

Ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse sipas rinumërimit dhe/ose rivlerësimit të votave.”, përfundon kërkesa e tij.