Vendosni fjalën kyçe....

Kosova dhe Maqedonia e Veriut përurojnë pikëkalimin e dytë kufitar me kontroll të përbashkët në Glloboçicë-Jazhincë


Qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut do të përfitojnë nga një regjim i ri kontrolli kufitar, pasi nga sot ka nisur zbatimi i sistemit “hyrje-hyrje” edhe në pikëkalimin kufitar Glloboçicë-Jazhincë. Ky është pikëkalimi i dytë që funksionon sipas këtij modeli, pas atij mes Hanit të Elezit dhe Bllacës, i përuruar më parë.

Ambasada e Kosovës në Shkup njoftoi se ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve, por edhe për të forcuar bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve. “Këto projekte, përveç që lehtësojnë dukshëm qarkullimin e qytetarëve, janë në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit bilateral,” thuhet në njoftimin e ambasadës.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, dhe ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski.

Pikëkalimet me sistem “hyrje-hyrje” ulin kohën e pritjes për qytetarët dhe shkurtojnë procedurat burokratike, duke e bërë lëvizjen ndërkufitare më të shpejtë dhe më efikase. Iniciativa për përbashkimin e kontrolleve kufitare është gjithashtu në përputhje me politikat evropiane për integrim dhe bashkëpunim rajonal.