Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari i lartë amerikan përcjell në Tiranë proritetet e SHBA-së: Luftë karteleve, krimit të organizuar e emigracionit të paligjshëm


Ndihmësdrejtori i ICITAP (International Criminal Investigative Training Assistance Program) në Departamentin e Drejtësisë në SHBA Stephen Fields është takuar sot me krerët e institucioneve ligjzbatuese në Tiranë.

Gjatë takimeve me ministrin e Brendshëm Hoxha, kreun e SPAK Dumani, drejtorin e Policisë Proda e kreun e AMP-së Sulejmani, Fields theksoi prioritetet e Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së për luftimin e karteleve, krimin e organizuar kombëtar e ndërkombëtar dhe  emigracionin e paligjshëm.

“Ambasada e ShBA në Tiranë mirëpriti Ndihmës Drejtorin e ICITAP të Departamentit të Drejtësisë të ShBA, Stephen Fields, nga 19 deri më 23 maj. Gjatë vizitës së tij, Z. Fields u takua me të Ngarkuarën me Punë Nancy VanHorn, zyrtarë të Ambasadës dhe udhëheqës të  institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri për të shprehur mirënjohjen për partneritetin e fortë me Shqipërinë. Ai përcolli prioritetet e Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA për të eliminuar kartelet, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm. Ndihmës Drejtori Fields zhvilloi takime me Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, Kreun e SPAK Altin Dumani, Drejtorin e Përgjithshëm së Policisë së Shtetit Ilir Proda, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Florian Sulejmani, Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Klevis Qose dhe të tjerë. Përveç kësaj, 340,000 dollarë në pajisje amerikane u transferuan në burgjet shqiptare përmes ICITAP dhe Byrosë kundër Terrorizmit dhe INL të Departamentit të Shtetit. Vizita përfundoi me prezantimin e Çmimit të Ekselencës dhe akreditimin e parë ndërkombëtar IADLEST për Akademinë e Sigurisë.” – shkruhet në postimin e ambasadës amerikane në Facebook.