
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti sot në një takim zyrtar Ministren për Çështjet Evropiane të Danimarkës, znj. Marie Bjerre. Vizita e saj vjen në një moment kyç për Shqipërinë, vetëm dy ditë përpara mbajtjes së Konferencës së Pestë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e cila pritet të sjellë një zhvillim të rëndësishëm: hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 të negociatave.
Ky grup përfshin temën “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse” dhe përbëhet nga 8 kapituj të tjerë, duke shënuar një përparim thelbësor në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Në deklaratën e tij pas takimit, ministri Hasani tha:
“Ky hap përbën një tjetër fazë të rëndësishme në procesin tonë të negociatave për anëtarësim në BE – një proces në të cilin Shqipëria jo vetëm po ecën në rrugën e duhur, por po shpejton me siguri, duke i qëndruar edhe objektivit madhor: që brenda këtij viti të çelim edhe grup-kapitujt e mbetur, ndërsa brenda vitit 2027 të përfundojmë negociatat dhe të jemi gati për t’u ulur si të barabartë në tryezën e BE-së në vitin 2030.”
Takimi mes dy ministrave u fokusua gjithashtu në kontekste të reja gjeopolitike, sfida të sigurisë dhe perspektivën e zgjerimit të BE-së, ku Danimarka ka qenë një mbështetëse e fortë e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Znj. Bjerre vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe theksoi rolin konstruktiv të vendit në stabilitetin rajonal dhe në përparimin e reformave të nevojshme për integrimin evropian.