Vendosni fjalën kyçe....

Alpinisti britanik thyen rekordin për ngjitjen e 19-të në majën e Everestit


Alpinisti britanik Kenton Cool ka realizuar ngjitjen e tij të 19-të në malin Everest, duke vendosur një rekord të ri për numrin më të madh të ngjitjeve në malin më të lartë në botë nga një jo-sherpa. 51-vjeçari, i shoqëruar nga sherpa nepalez Dorji Gyaljen, arriti majën 8,849 metra të lartë të dielën në orën 11:00 me orën lokale.

Cool u ngjit për herë të parë në Everest në vitin 2004 dhe ka vijuar të ngjitet thuajse çdo vit që nga ajo kohë. Ndërkohë, partneri i tij në këtë ngjitje, Dorji Gyaljen, shënoi ngjitjen e tij të 23-të në Everest.

Pavarësisht këtij suksesi, rekordi absolut për ngjitjet më të shumta në Everest mbahet nga sherpa nepalez Kami Rita, me plot 30 ngjitje, i cili ndodhet aktualisht në mal për një tjetër përpjekje.

Ngjitja e fundit e Cool vjen në një javë të vështirë për komunitetin alpin, pasi të paktën dy alpinistë – Subrata Ghosh nga India dhe Philipp “PJ” Santiago II nga Filipinet – humbën jetën në Everest.

Pas ngjitjes së tij të 16-të në vitin 2022, Cool ishte modest për arritjet e tij, duke theksuar se shumë sherpa kanë kryer më tepër ngjitje. “Jam vërtet i befasuar nga interesi… kur mendon sa shumë ngjitje kanë bërë sherpat,” kishte thënë ai për AFP në atë kohë.

Vetëm katër ditë para arritjes së majës, ai postoi në Instagram se më në fund kishte një parashikim të mirë të motit që do t’i lejonte të vazhdonte me përpjekjen. “Shpresojmë të arrijmë majën në mënyrë të sigurt dhe të këndshme,” shkroi ai.

Ngjitja e tij u përshëndet nga komuniteti ndërkombëtar i alpinistëve. “E mrekullueshme, Kenton,” shkroi alpinisti jordanez Mostafa Salameh, një nga të paktët që ka pushtuar majat më të larta në të shtatë kontinentet dhe të dy Polet, shkruan BBC.

Alpinisti amerikan Adrian Ballinger, i cili po udhëheq një ekspeditë në Everest, e cilësoi Cool si një figurë me përvojë, karizëm dhe forcë, duke e quajtur “një pjesë të vlefshme të komunitetit të Everestit.”

Krahas arritjeve të tij personale, Kenton Cool është gjithashtu udhërrëfyes malor dhe ka udhëhequr figura të njohura si eksploruesi britanik Sir Ranulph Fiennes në ngjitje të rëndësishme, përfshirë edhe vetë Everestin.