Presidenti amerikan Trump tha se SHBA-ja është afër një marrëveshjeje bërthamore me Iranin. Pas raundit të katërt të negociatave fundjavën e kaluar, SHBA-të thanë se ishin të inkurajuara nga gatishmëria e Iranit ndaj qasjes së Uashingtonit. Iranianët thanë se bisedimet ishin të vështira, por të dobishme në sqarimin e dallimeve.
“Unë mendoj se ne jemi afër ndoshta të bëjmë një marrëveshje pa pasur nevojë ta bëjmë këtë,” tha Trump në një takim biznesi në Doha, Katar, të enjten, duke nënkuptuar për sulme ushtarake ndaj Iranit, shkruan WSJ.
“Ka dy hapa. Ka një hap shumë, shumë të bukur, dhe ka një hap të dhunshëm, dhunë siç njerëzit nuk e kanë parë më parë.”
Çmimet e naftës ranë më shumë se 3% pasi investitorët parashikonin se çdo marrëveshje do të sillte lehtësimin e sanksioneve ndaj eksporteve të papërpunuara iraniane.
Në diskutim është një mosmarrëveshje dy dekadash mbi punën bërthamore të Iranit. SHBA-të duan që Irani të zhbëjë programin e tij, për të cilin zyrtarët amerikanë mendojnë se është brenda pak muajsh që të jetë në gjendje të prodhojë një armë bërthamore. Irani thotë se është i hapur për të pakësuar programin nëse SHBA heq sanksionet për punën e tij bërthamore, duke ofruar lehtësim për ekonominë e tij të rënduar.
Ali Shamkhani, një këshilltar i lartë i liderit suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei, i tha NBC Neës se Teherani ishte gati të bënte lëshime për të siguruar një marrëveshje bërthamore me Uashingtonin.
Shamkhani tha se Irani do të angazhohet që të mos prodhojë kurrë armë bërthamore, do të heqë rezervat e tij të uraniumit shumë të pasuruar dhe do pranojë të pasurojë uraniumin vetëm në nivele të ulëta të pastërtisë që nevojiten për një program paqësor civil.
