
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa nënvizoi se qëllimi i qeverisë shqiptare është të përmbyllë këtë proces deri në vitin 2027.
Këto komente ai i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili ndodhet për vizitë në Tiranë.
“Presidenti i KiE është përsëri në Tiranë dhe kjo është një kënaqësi e veçantë për ne. Është kënaqësi që të ritakohem me presidentin, i cili është një mik i dashur dhe shumë i mençur”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se deri më tani janë hapur 16 kapituj negociues dhe në ditët në vijim do të hapen edhe 8 të tjerë, me synimin për t’i hapur të gjithë brenda vitit.
“Siç e kam ndarë edhe më parë, plani ynë i përbashkët me Komisionin Evropian është që të arrijmë mbylljen e negociatave brenda tre viteve, pra nga 2024 deri në 2027. Është një plan ambicioz. Por sot, BE-ja është më e dëshiruar se kurrë që të pranojë anëtarë të rinj, natyrisht mbi bazën e meritës dhe rezultateve,” tha ai.
Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij momenti për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar si një mundësi historike që nuk duhet humbur.
“Ftoj të gjithë kolegët e mi në rajon, miqtë e mi, që të mos e humbasin këtë moment që historia na e ka sjellë në derë. Ta shfrytëzojmë këtë gatishmëri të BE-së, pa harruar se historia ka treguar se procesi i zgjerimit mund të përshpejtohet, por edhe të ngadalësohet,” tha Rama.