
Partia Mundësia ka ngritur një denoncim publik mbi një incident të ndodhur në procesin e numërimit të votave në KZAZ nr. 40, që ndodhet në ambientet e Shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë.
Sipas një njoftimi zyrtar nga kjo forcë politike, gjashtë fletë votimi që i përkasin Partisë Mundësia po tentohet të shpallen të pavlefshme, ndonëse ato janë të vulosura në mënyrë të rregullt me të dy vulat zyrtare të komisionit.
Si arsye për pavlefshmërinë, sipas komisionit të numërimit, është përmendur “ngjyra e zbehtë” e fletëve, një justifikim që Partia Mundësia e konsideron të paarsyeshëm dhe të papranueshëm.
“Në KZAZ 40, në Shkollën Sami Frashëri, 6 fletë votimi të Partisë Mundësia po tentohen të shpallen të pavlefshme. Edhe pse janë me dy vulat e komisionit të votimit, arsyeja banale është se fletët kanë ngjyrë të zbehtë,” thuhet në deklaratën e partisë.
Në reagim ndaj situatës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është njoftuar menjëherë për këtë çështje, ndërsa kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është nisur drejt qendrës së numërimit për të ndjekur nga afër zhvillimet.
Po ashtu, mbi këtë incident është vënë në dijeni edhe misioni i vëzhguesve të ODIHR-it, të cilët po ndjekin procesin zgjedhor në vend.
Partia Mundësia ka paralajmëruar se do të ndjekë me vendosmëri çdo tentativë për manipulim apo përpjekje për të cenuar vullnetin e votuesve të saj.
Njoftim i partisë Mundësia:
Në KZAZ 40, në Shkollën Sami Frashëri, 6 fletë votimi të Partisë Mundësia po tentohen të shpallen të pavlefshme. Edhe pse janë me dy vulat e komisionit të votimit, arsyeja banale është se fletët kanë ngjyrë të zbehtë. Mbi këtë rast sapo u lajmërua z Celibashi ndërkohë z Shehaj po niset drejt KZAZ-së.
Mbi këtë rast sapo u njoftua edhe misioni i ODIHR-it.