Vendosni fjalën kyçe....

Inskenoi vdekjen në Pukë për t’iu shmangur borxheve, Davide Pecorelli ekstradohet nga Italia në Shqipëri


Davide Pecorelli, ish-gjyqtari i futbollit dhe biznesmen italian që inskenoi vdekjen e tij në Pukë në janar të vitit 2021, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë. Ai u mor në dorëzim këtë të mërkurë në aeroportin e Rinasit nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe u dërgua në Institucionin e Ekzekutimeve të Veprave Penale.

Gjykata e Shkodrës e ka dënuar Pecorellin më 3 prill 2025 me 4 vite burg, nga 8 që kërkoi Prokuroria, ndërsa çështja ndodhet ende në Apel. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Mashtrim”, “Dhunim të varreve”, “Shkatërrim të pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.

Pecorelli u zhduk në janar 2021 në Pukë, ku u gjet një makinë e djegur me mbetje skeletore brenda, duke krijuar bindjen se ai kishte ndërruar jetë. Autoritetet shqiptare dhe italiane nisën hetime të gjera, derisa ai u shfaq i gjallë në shtator të po atij viti pranë ishullit Montecristo në Itali, duke deklaruar se kishte qenë duke kërkuar një “thesar”.

Prokuroria e Pukës e akuzoi për pesë vepra penale, përfshirë veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Shkak për inskenimin e vdekjes u bë gjendja e rënduar financiare dhe borxhet pas falimentimit të biznesit të tij në Itali.

Vendimi përfundimtar për ekstradimin e tij u firmos nga ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Perugias në maj të vitit të kaluar.