Vendosni fjalën kyçe....

Kishin mbjellë kanabis pranë banesave, një i arrestuar dhe një i proceduar në Tepelenë


Policia e Tepelenës ka zhvilluar një aksion për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat janë evidentuar dy raste, për të cilat është vënë në pranga një person ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.

Personi i arrestuar është Armando Isufi, banues në fshatin Lekdush të Tepelenës. I dyshuari tjetër ndaj të cilit ka nisur një procedim penal është Xh.Zh, banues në fshatin Progonat.

Në afërsi të banesave të të dyve këtyre personave, policia ka gjetur bimë narkotike të kultivuara.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivimin e bimëve narkotike, kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin A. I., banues në fshatin Lekdush, Tepelenë dhe proceduan penalisht shtetasin Xh. Zh., banues në fshatin Progonat, Tepelenë, pasi kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në afërsi të banesave të tyre.

Materialet për shtetasit e mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.