Vendosni fjalën kyçe....

Irani i bën thirrje SHBA-së të tërheqë mbështetjen për sulmet izraelite ndaj Jemenit


Irani i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërpresin mbështetjen për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Jemen, duke pretenduar se Izraeli po përpiqet të përdorë konfliktin me qeverinë e udhëhequr nga Houthi-t për të krijuar përçarje mes Iranit dhe SHBA-së në negociatat për të ardhmen e programit bërthamor civil të Teheranit.

Sulmet janë kritikuar edhe nga qeveria e njohur nga OKB-ja në Jemen, me bazë në Aden, e cila deklaroi se nuk ishte konsultuar dhe se sulmet ajrore nuk përbëjnë një plan të integruar për të larguar Houthi-t nga pushteti.

Që nga viti 2015, Jemeni është i ndarë mes Houthi-ve dhe qeverisë zyrtare, pasi këta të fundit morën nën kontroll kryeqytetin Sana’a.

Izraeli pretendoi se 20 avionë luftarakë të tij shkatërruan plotësisht portin e Hodeidah-s nën kontrollin e Houthi-ve, si dhe një fabrikë çimentoje aty pranë.

Houthi-t deklaruan se në këto sulme u vranë katër persona. Të martën, Izraeli goditi aeroportin ndërkombëtar të Sana’a-s, duke paralajmëruar civilët që të largohen nga zona, përcjell The Guardian.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në përpjekje për të theksuar rolin e Iranit në furnizimin e Houthi-ve me armë, ka ndërmarrë sulme ndoshta edhe më të gjera se ato të SHBA-së. Grupi shiit Houthi kishte ndërmarrë një sulm ndaj aeroportit Ben Gurion të shtunën, për të cilin deklaruan se ishte një akt solidariteti me palestinezët në Gaza.

Izraeli mbeti i tronditur nga fakti që mbrojtja ajrore e tij u depërtua nga një raketë e vetme e Houthi-ve, ndërkohë që Irani beson se Izraeli po e përshkallëzon qëllimisht krizën për të penguar negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor, që pritet të rifillojnë të dielën.

Izraeli mbetet kundër një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA me Iranin që do t’i linte këtij të fundit programin civil bërthamor të paprekur, dhe dëshiron bashkëpunimin amerikan për një sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Ministria e Jashtme iraniane lëshoi të hënën një deklaratë ku ngulte këmbë se Houthi-t veprojnë në mënyrë të pavarur nga Irani dhe nuk janë një ushtri proxy.

Në deklaratë thuhej: “Konsiderojmë si fyerje për këtë komb të fuqishëm dhe të shtypur përsëritjen e pretendimeve të pabaza që i atribuojnë veprimet trimërore të popullit jemenas në vetëmbrojtje dhe përkrahje të popullit palestinez Iranit, dhe kujtojmë se është ushtria amerikane, në mbështetje të gjenocidit të regjimit sionist, ajo që ka hyrë në luftë kundër popullit jemenas dhe po kryen krime lufte duke sulmuar infrastrukturën dhe objektiva civile në qytete të ndryshme të këtij vendi.”

Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, deklaroi: “Netanyahu po përpiqet pa turp t’i diktojë presidentit Trump se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë në diplomacinë e tij me Iranin. Bota e ka parë gjithashtu se si Netanyahu po ndërhyn drejtpërdrejt në qeverinë amerikane për ta çuar drejt një tjetër katastrofe në rajonin tonë.”

“Pakica e Netanyahut në Amerikë, që janë të tmerruar nga diplomacia, kanë zbuluar tashmë agjendën e tyre të vërtetë. Bota duhet t’i kushtojë vëmendje prioriteteve të tyre reale.” – shtoi Araghchi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, e dënoi sulmin si “një krim flagrant dhe një shkelje e rëndë e parimeve dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare”. Ai u bëri thirrje fuqive ndërkombëtare dhe rajonale “të ndalojnë vrasjen dhe shkatërrimin që Amerika dhe Izraeli po kryejnë në vendet islame”.

Përshkallëzimi i situatës në Jemen përbën një vështirësi të mëtejshme diplomatike për Iranin, pasi mbështetja ndaj veprimeve të Houthi-ve në solidaritet me Gazën ka zënë një vend të rëndësishëm në mediat konservatore iraniane.

Megjithatë, disa raporte të Kombeve të Bashkuara kanë dokumentuar dërgesa armësh iraniane për Houthi-t.

Por, sipas kritikëve, kjo mbështetje e Iranit ndaj Houthi-ve u jep mundësi radikalëve republikanë në SHBA që të lobojnë për përfshirjen e mbështetjes së Iranit ndaj grupeve të rezistencës në rajon si pjesë thelbësore të agjendës amerikane në negociata. Irani ka këmbëngulur që diskutimet të fokusohen vetëm në monitorimin e programit të tij civil bërthamor dhe në heqjen e sanksioneve.

Gjatë muajit të fundit, deklaratat kontradiktore nga administrata Trump për kërkesat ndaj Iranit – përfshirë çështjen nëse Irani do të braktisë pasurimin e uraniumit brenda vendit – kanë shkaktuar shqetësim tek shumë iranianë.

Araghchi ka deklaruar se e drejta për të pasuruar uranium në vend, dhe jo për ta importuar atë, është një praktikë normale për shumë nënshkrues të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, dhe se kjo për Iranin përbën një vijë të kuqe.