
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj mitingut elektoral të Partisë Socialiste në Dibër, ku reperi Noizy mori pjesë dhe mbërriti në skenë me një automjet luksoz, Lamborghini.
Berisha e cilësoi këtë si tallje me qytetarët shqiptarë, veçanërisht me shtresat në nevojë si pensionistët dhe të sëmurët. “Rama merr daullen dhe i bie, tallet me shqiptarët. Gjen edhe Noizy-n me Lamborghini, por Lamborghini nuk është as pension, as rrogë. Le ta gëzojë, çfarë lidhje ka pensionisti me të?”, u shpreh ai.
Duke vijuar me ironinë, Berisha krahasoi mitingun me spektakël me rastin e Kamala Harris në SHBA, duke thënë se “edhe ajo mori gjithë Hollywood-in me vete, por përfundoi aty ku e meritonte”.
Në përfundim, lideri demokrat u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e spektaklit politik dhe të votojnë më 11 maj për ndryshim. “Çfarë i mendon ky shqiptarët? Qenie primitive që mund t’i mashtrojë? Kurrsesi! 11 maji është dita e qytetarit, dita e dinjitetit. Votoni 1, sepse të gjithë jeni 1-sha,” përfundoi ai.