
Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar të premten një shkurtim prej 163 miliardë dollarësh në shpenzimet federale për vitin e ardhshëm, duke synuar të reduktojë më shumë se një të pestën e shpenzimeve joushtarake, përjashtuar programet e detyrueshme të përfitimeve sociale.
Sipas Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, plani parashikon një rritje me 13% të buxhetit për mbrojtjen dhe një rritje gati 65% për sigurinë kombëtare, krahasuar me nivelin e miratuar për vitin 2025.
Ndërkohë, shpenzimet diskrecionale joushtarake do të shkurtohen me 23%, duke u kthyer në nivelin më të ulët që nga viti 2017, përcjell Reuters.
Ky dokument, i quajtur “buxheti i dobët” (skinny budget), shërben si një përmbledhje e prioriteteve të administratës dhe si udhërrëfyes për republikanët në Kongresin e kontrolluar prej tyre, për hartimin e projektligjeve të shpenzimeve.
Si buxheti i parë i Trump-it që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ai synon të përmbushë premtimet për forcimin e ushtrisë dhe të sigurisë kufitare, ndërsa redukton ndjeshëm administratën federale.
“Në këtë moment kritik, na duhet një buxhet historik – një që i jep fund financimit të rënies sonë, vendos amerikanët të parët dhe ofron mbështetje të paprecedent për ushtrinë dhe sigurinë kombëtare,” – tha drejtori i OMB, Russ Vought.
Ndërsa borxhi kombëtar i SHBA-së ka arritur në 36 trilionë dollarë, disa konservatorë fiskalë dhe ekspertë buxhetorë janë të shqetësuar se projektligji i ri për uljen e taksave i propozuar nga Trump do të thellojë më tej borxhin, nëse nuk shoqërohet me shkurtimet përkatëse të shpenzimeve.
Trump kërkon nga Kongresi të zgjasë uljet e taksave të vitit 2017 – një nga arritjet kryesore legjislative të mandatit të tij të parë – të cilat, sipas parashikimeve të pavarura, mund t’i shtojnë edhe 5 trilionë dollarë borxhit kombëtar.
Projektbuxheti përfshin gjithashtu propozime të detajuara për shpenzimet e çdo agjencie federale për vitin fiskal që nis më 1 tetor.
Në vitin fiskal 2024, shpenzimet e qeverisë federale kapën shifrën prej 6.8 trilionë dollarësh, sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit.
Megjithëse Kongresi ka zakonisht ndikim të madh në modifikimin e kërkesave buxhetore të Shtëpisë së Bardhë, Trump gëzon ndikim të veçantë mbi shumicën republikane dhe mund të arrijë shumë nga objektivat e tij.
Republikanët shpresojnë të miratojnë ligjin për uljen e taksave deri më 4 korrik dhe po përpiqen të kapërcejnë ndarjet e brendshme për shkurtimet e nevojshme për ta financuar atë.
Ata përballen gjithashtu me pasojat në rritje në ekonominë amerikane nga tarifat shtesë të vendosura nga Trump, që po ndikojnë tregtinë globale.
Në vijim të premtimeve për të mbyllur ose reduktuar ndjeshëm Departamentin e Arsimit, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të ruajë fondet vetëm për fëmijët nga familjet me të ardhura të ulëta.
Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, kritikoi ashpër buxhetin:
“Ditët e Trump-it duke u shtirur si populist kanë marrë fund. Politikat e tij janë një sulm i hapur ndaj amerikanëve punëtorë. Ndërsa shkurton kujdesin shëndetësor, arsimin dhe programet jetike për familjet, ai financon ulje taksash për miliarderët dhe korporatat e mëdha,” – u shpreh Schumer në një deklaratë.
Sipas buxhetit të publikuar, do të ketë edhe 500 milionë dollarë fonde shtesë për sigurinë kufitare dhe deportimet në masë, si dhe 766 milionë dollarë për teknologji kufitare, ruajtjen e 22,000 agjentëve të Patrullës Kufitare dhe rekrutimin e oficerëve shtesë të Doganës dhe Kufirit.