Vendosni fjalën kyçe....

Rama premton ndërtimin e rrugës Burrel–Ulëz: Dibra do të bëhet zona më e lakmuar e metropolit shqiptar


Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar këtë të premte në Burrel, ka theksuar angazhimin e Partisë Socialiste për zhvillimin e mëtejshëm të qarkut Dibër, duke e cilësuar këtë zonë si një nga pjesët më premtuese të së ardhmes urbane të vendit.

Rama u shpreh se qeveria e tij synon që në dekadën e ardhshme Dibra të shndërrohet në “pjesën më të lakmuar të metropolit shqiptar”.

Për të arritur këtë objektiv, kreu i qeverisë vuri theksin te rëndësia e përmirësimit të infrastrukturës rrugore, duke theksuar ndërtimin e rrugës që do të lidhë Burrelin me Ulzën si një nga projektet kyçe.

“Në mandatin e katërt, do të ndërtojmë rrugën që lidh Burrelin me Ulzën. Ajo është një zonë shumë e bukur dhe rruga do ta bëjë më të lehtë tërheqjen e investimeve”, deklaroi Rama, duke shtuar se investimi do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e jetës së banorëve të zonës dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Ai përmendi gjithashtu edhe projektin e Rrugës së Lurës si pjesë e vizionit të qeverisë për të krijuar akses më të mirë dhe mundësi më të mëdha zhvillimi në Dibër dhe Mat.

 Rama nuk ngurroi të përmendte edhe rivalitetin tradicional mes dibranëve dhe matjanëve, duke theksuar se çdo krahinë do të ketë vëmendjen e duhur në mandatin e ardhshëm.

“PS ka bërë shumë, por ka akoma për të bërë. Ne duam ta çojmë përpara këtë punë dhe t’i japim Dibrës atë që meriton në një Shqipëri moderne dhe të zhvilluar”, përfundoi kryeministri.