
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, deklaroi pas takimit me ambasadorin e BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, se u diskutua për përgatitjet e zgjedhjeve dhe rolin mbështetës të BE-së.
Ai theksoi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve me integritet, në një moment kyç për integrimin e Shqipërisë.
Celibashi nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me SPAK gjatë kësaj jave për çështje të ndryshme dhe denoncime, duke theksuar se KQZ ka reaguar brenda 24 orësh për çdo kërkesë.
Celibashi: Takimi ishte për të dhënë informacione në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve. Shkëmbyem mendime për përgatitjet.
Jemi në proces bashkëpunimi e mbështetjeje të vazhdueshme nga BE. Me siguri do të vijojë edhe pas zgjedhjeve. Shqipëria është në një moment të rëndësishëm të integrimit, ndaj institucionet dhe partitë duhet të reflektojnë mbi përgjegjësitë tona për të pasur zgjedhje me integritet.
Këtë javë kemi pasur në mënyrë periodike komunikime konkrete me SPAK për problematika të ndryshme dhe denoncime, si dhe informacione të ardhura në KQZ. Brenda 24 orësh ia kemi dalë të vëmë në dispozicion gjithçka që na është kërkuar.